Tension në Sarandë, reshjet shtyjnë dy ndeshje në Kategorinë e Dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 23, 2019 | 12:35

Tension në Sarandë, reshjet shtyjnë dy ndeshje në Kategorinë e Dytë

Fitore e thellë e Butrintit mes tensionit. Përveç ekipit sarandjot, që shënoi 5 gola në këtë ndeshje, protagonist është bërë edhe arbitri kryesor Alvi Paço, i cili ka nxjerrë tre kartonë të kuq dhe të tre për lojtarët e Memaliajt. Dy prej tyre që në 14 minutat e para të ndeshjes, kur K.Shehu dhe Mirani shkuan në dhomat e zhveshjes dhe më pas gjithçka u bë e lehtë për Butrintin. 

ndeshja e butrintit (1)

Ekipi vendës kaloi në avantazh që në minutën e parë me Dhramin. Lojtarët e Memaliajt u shfaqën nervozë dhe për shkak të protestave K.Shehu mori dy kartonë të verdhë brenda një minute. E njëjta gjë ndodhi edhe me Miranin pas 4 minutash, ku pas një simulimi ai mori të verdhë e më pas një tjetër për sharje ndaj arbitrit. Butrinti shënoi edhe dy herë të tjera në pjesën e parë me Kasajn e Mahmutajn. Në pjesën e dytë, në listën e shënuesve shtojnë emrin edhe Dalanaj e Bazaj. Në 20 minutat e fundit Memaliaj mbeti me 10 vetë, sepse me të kuq u largua edhe Xhulio Lala. Fitore e lehtë për sarandjotët, por gjithçka u vendos nga kartonët e kuq.

TRAJNERI ZHUPA 

Ka pasur kontestime të ashpra nga drejtuesit memaljotë për gjykimin e kryesorit Alvi Paço. Pas ndeshjes, trajneri Zhupa u shpreh: “Turp, turp, turp! Një maskaradë e vërtetë në stadiumin e Sarandës. Është takimi i tretë që masakrohemi nga gjykimet tendencioze. Nuk e dimë nga doli ky gjyqtar, Alvi Paço, i cili prej një faze nuk ka gjykuar dhe çuditërisht merr përsipër të bëjë këtë ‘katrahurë’. Ndoshta dikush nuk e do skuadrën tonë. Kemi një grup lojtarësh korrektë dhe të disiplinuar. Nuk mund të vazhdohet më kështu. Nuk kam fjalë”.

SHTYHEN DY NDESHJE 

Reshjet e dendura të shiut i kanë detyruar zyrtarët e ndeshjeve Këlcyra-Delvina dhe Përmeti-Gramozi të vendosin për shtyrjen e tyre. Pas inspektimit të fushës në stadiumet e Këlcyrës dhe Përmetit, është konstatuar se nuk mund të luhej. Arbitrat, zyrtarët e tjerë dhe dy skuadrat kanë respektuar protokollin dhe tani duhet të mendojnë për zhvillimin e këtyre ndeshjeve në muajin janar të vitit të ardhshëm, sipas njoftimit zyrtar të FSHF-së, por ende pa një datë të saktë.

ELVIN ÇUKARI, ROLAND SULI 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"