Tension në KOKSH, Martin Biba: Ka shkelje, të shtyhen zgjedhjet për në maj pas votimeve politike

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2021 | 10:09

Tension në KOKSH, Martin Biba: Ka shkelje, të shtyhen zgjedhjet për në maj pas votimeve politike

Në prag të asamblesë zgjedhore që do të mbahet më 17 prill, situata në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar nuk është aspak e qetë. Tensioni është intensifikuar edhe më shumë ditët e fundit, me deklarata të forta nga kandidatët apo anëtarët, të cilët kanë denoncuar rrugën që po ndiqet për procesin zgjedhor. Martin Biba, një nga 4 kandidatët për presidencën e Komitetit Olimpik, i cili vetëm pak ditë më parë denoncoi përfshirjen e politikës në zgjedhjet e KOKSH, si dhe bëri deklarata të forta që shkonin tek blerja e votave në shumat nga 4000 deri në 6000 euro, e quan të domosdoshme shtyrjen e asamblesë në një tjetër datë, duke parë rrethanat dhe situatën në të cilën ndodhet Komiteti Olimpik.

MARTIN BIBA

Nëpërmjet një prononcimi për “Panorama Sport” Biba shpjegon pse është i domosdoshm dhe urgjent spostimi pas zgjedhjeve politike. “Jemi 3 ditë para zgjedhjeve në KOKSH dhe ende nuk dihet vendi dhe ora se ku do të mbahet mbledhja. Unë si kandidat nuk e di se cilët janë zyrtarisht anëtarët e asamblesë. Kemi 23 federata të përjashtuara dhe nuk e di se sa e ndershme është gara kur një njeri konkurron me kostumin e deputetit një javë para zgjedhjeve politike. Ky proces bëhet pis duke zhvilluar garë në kushte jonormale një javë para zgjedhjeve politike. Një javë para zgjedhjeve do të thotë që presioni dhe makineria e shtetit është në punë për ta marrë me çdo kusht dhe çmim këtë institucion, për sa kohë ky pushtet sjellë një deputet dhe kandidat për deputet në garë për kreun e KOKSH. Zgjedhjet në këto kushte nuk janë në shërbim të sportit, por për përfitime personale”, shprehet Biba, i cili më tej vijon argumentimin pse duhet shtyrë asambleja: “Unë e kërkoj shtyrjen pasi ky proces kërkon fillimisht ligjshmëri dhe rregullsi. Së dyti, kërkon që të gjithë aktorët të kenë mundësi të barabarta. Nuk mund të përjashtosh asnjë federatë në një kohë kur ka nisur fushata zgjedhore për organet e reja drejtuese. Të përjashtosh me një të rënë të lapsit 23 federata dhe një kandidat për president do të thotë të heqësh gjysmën e asamblesë.

Një veprim i tillë është arrogancë për të kapur me çdo çmim presidencën dhe komitetin ekzekutiv të KOKSH. Presidenca dhe Komiteti Ekzekutiv prodhojnë mbarëvajtjen e punës në 4 vite dhe nëse ky proces deformohet që në fillim do të thotë që edhe puna e këtyre njerëzve nesër do të jetë e deformuar dhe rrjedhimisht shtrembërohet e gjithë fryma olimpike në Shqipëri. Deformohet vullneti i federatave, cilësia sportive dhe përfaqësimi i vendit në Lojërat Olimpike”. Ish-kreu i mundjes shqiptare sqaron se spostimi për në maj i asamblesë, nuk sjell asnjë dëm për Lojërat Olimpike: “Shtyrja e asamblesë nuk ka asnjë ndikim në prezencën e Shqipërisë në Lojërat Olimpike, sepse zyrtarisht KOKSH bën organizimin e delegacionit për olimpiadë në emër të shtetit shqiptar dhe kemi sportistë të kualifikuar apo që do të kualifikohen deri në përfundim të turneve kualifikuese. Pas kësaj drejtuesit e KOKSH nuk kanë rol tjetër përveçse atë të përfaqësimit, sepse është administrata ajo që e bën punën. Si me zgjedhje dhe si pa zgjedhje administrata do ta bëjë punën njësoj dhe nuk ka se si të cenohet puna e saj”.

Në fund Martin Biba i përgjigjet edhe kandidatit Vojo Malo, i cili i kishte quajtur aludime akuzat e Bibës: “Në deklaratën e Vojo Malos shikoj se ai kërkon të më dëmtojë ku të mundet, por unë e garantoj atë që nuk sulmoj askënd personalisht, sepse nuk kam asgjë personale. Po të kisha, sigurisht që nuk të hezitoja me asnjë që do të më cenonte personalisht. Beteja ime është parimore dhe një garë në këto kushte nuk është e ndershme”, përfundoi Martin Biba.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

Akuzat në KOKSH për blerje vote 6 mijë euro, Vojo Malo i përgjigjet Martin Bibës: Është bërë si Bezhani

Zgjedhjet në KOKSH, kandidati për president, Martin Biba akuzon: Banda e “Rilindjes” kërkon të marrë drejtimin

Kaosi në KOKSH, flet Bezhani: Vepër e Fidel Yllit, hajdutët dhe mashtruesit duan të përjashtojnë federatat

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"