Tension në Durrës, Goga Basket shpall “non grata” Arqile Gorenë e Teutës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2019 | 22:34

Tension në Durrës, Goga Basket shpall “non grata” Arqile Gorenë e Teutës

Në sallën sportive “Dhimitraq Goga” u zhvillua të shtunën derbi durrsak ndërmjet Goga Basket dhe Teutës, ku këta të fundit fituan 98-97.

goga basket teuta

Rivaliteti i lartë dhe polemikat ndërmjet këtyre skuadrave vijojnë që nga sezoni i kaluar dhe, me sa duket, nuk kanë ndërmend të përfundojnë. Goga Basket, nëpërmjet një deklarate për shtyp, akuzon ashpër presidentin e Teutës, Arqile Gorea, për sjelljen e bërë në takimin e së shtunës dhe njoftojnë se do t’ia ndalojnë hyrjen përgjithmonë në sallën e tyre sportive.

Ja deklarata e Gogës: “Presidenti i subjektit OJF-së Teuta Basket, Arqile Goreja, të cilit nuk i ka dalë ende inati i humbjes së titullit kampion sezonin e kaluar, përballë Goga Basket, kreu të shtunën disa akte rrugaçërie gjatë derbit Goga Basket – Teuta Basket, që përfundoi me fitoren e merituar me një pikë diferencë të Teutës, për të cilën e përgëzojmë.

Gjatë zhvillimit të ndeshjes, në pjesën e parë, ku skuadra e Teutës ishte në disavantazh deri në 10 pikë, ai provokoi duke fyer e kërcënuar sekretarin e Federatës Shqiptare të Basketbollit në publik dhe në distancë, si dhe tre arbitrat gjatë zhvillimit të ndeshjes. Pas përfundimit të pjesës së parë ky person tentoi të futej në dhomat e zhveshjes së arbitrave dhe vetëm ndërhyrja e policisë private dhe asaj të shtetit bënë të mundur ndalimin e një konflikti fizik të tij me arbitrat. Akti më i rëndë është kur ky person futet sërish në fushë para fillimit të pjesës së dytë, ku i pret arbitrat të dalin nga dhomat e zhveshjes dhe i kërcënon duke i ofenduar dhe kërcënuar.

Në përfundim të ndeshjes, ky person, dukshëm nën efektin e alkoolit, hyn në fushë dhe kthehet nga Tifozëria e urtë durrsake e Goga Basket, ku pjesa dërrmuese ishin gra dhe fëmijë, duke i përçmuar e fyer dhe duke provokuar rëndë për konflikt fizik meshkujt që i shoqëronin. Duke pasur parasysh rrezikshmërinë e lartë shoqërore të këtij personi, për të ndezur një konflikt midis dy grupimeve tona sportdashëse që, keq e mirë po ruajnë ende ekuilibër pa rënë pre e dëshirës së këtij personi për të pasur një konflikt, duke vërejtur paaftësinë e federatës dhe gjyqtarëve për të urdhëruar largimin e tij nga aktiviteti dhe aktivitetet (minimumin që duhet të kishin bërë arbitrat ishte të urdhëronin policinë ta nxirrte jashtë, por i mirëkuptojmë, pasi u terrorizuan nga klima), akademia sportive Goga Basket, si pronare e vetme e pallatit të sportit ‘Dhimitraq Goga’ dhe përgjegjëse e organizimit të veprimtarisë në këtë pallat sporti, vendosi të shpallë ‘të padëshirueshëm’ presidentin e OJF-së Teuta Basket e të mos lejojë prezencën e tij përgjithmonë në pallatin tonë të sportit dhe çdo tentativë e tij për të hyrë me forcë do të marrë përgjigjen e merituar. Ndërkohë, për ‘fair play’ sportiv as presidenti i Goga Basket nuk do të shkojë në pallatin e sportit në Durrës”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"