Tension e nerva te Tirana, Ze Maria dënon ekipin. Ja pse erdhi “dora e hekurt” e brazilianit (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 29, 2018 | 21:59

Tension e nerva te Tirana, Ze Maria dënon ekipin. Ja pse erdhi “dora e hekurt” e brazilianit (E PLOTË)

Xhindoset Hoze Marselo Ferreira. Trajneri brazilian i Tiranës, dje ka masakruar ekipin në stërvitje. Për një kuadrat tresh, të cilin skuadra e përsëriti dy herë, por që sipas trajnerit nuk u bë me dëshirë nga ekipi, lojtarët u dënuan të vraponin 20 xhiro lart e poshtë në “Skënder Halili”. Po është më se e vërtetë. Trajneri brazilian i Tiranës nuk i mbajti dje më nervat dhe shpërtheu ndaj futbollistëve.

tirana

Ngjarja – Ka qenë mesi i stërvitjes së djeshme. Pas shtangave dhe ngarkesës fizike, trajneri e ndau ekipin në tre grupe: lejlatë, portokallinjtë dhe jeshilët. Ushtrimi ishte i thjeshtë. Një prej lojtarëve futej në mes dhe nëse kapte topin, ekipet spostoheshin në kënde të ndryshme. Ky është një ushtrim, i cili përsëritet nga Ze Maria. Por, pas më shumë se 3-4 minutash, një ulërimë dhe ndalje ushtrimi bën që situata të ndalojë, duke habitur futbollistët dhe të pranishmit. Skuadra rreshtohet te vija fundore, e cila përkon me perëndimin ose nga krahu i ish-Kombinantit Ushqimor. Lojtarët nisin dhe vrapojnë rreth 20 qindmetërsha me urdhër të qartë dhe të kontrolluar nga Ze Maria dhe tre ndihmësit e tij.

Përse ndodhi – Qartësisht u kuptua dhe u pa se braziliani ndëshkoi ekipin, sipas tij për sjelljen jo korrekte gjatë stërvitjes, sepse ushtrimi që po bënte skuadra, sipas Ze Marias u neglizhua nga grupi.

Ze Maria dhe shkaqet e tensionit – Është pak të thuash, por kjo lëvizje nuk tregon qetësi te trajneri i Tiranës, në këtë moment delikat pa rezultate. Ulërimat në fushën e lojës dhe ndëshkimi i ekipit nuk tregojnë ekuilibër te braziliani, i cili duhet thënë se ka disa arsye, që e bëjnë kaq të tendosur në sjellje. Si asnjëherë tjetër ai nuk është më njeriu i qetë dhe i kthjellët, por në ankth për atë që do të ndodhë në Kukës. Shkaqet e shqetësimit janë disa, por në krye është situata e rezultateve. Në dy ndeshje trajneri ka marrë një pikë. Shumë pak për një ekip, i cili sipas objektivave të Ze Marias, duhet të luftojë për titullin kampion. Presioni është i madh dhe Ze Maria e kupton se Superiorja nuk është moçalishtja e Kategorisë së Parë, por një nga “rrathët e ferrit”, të cilat ai duhet të shpëtojë, duke filluar të marrë fitoren e parë në kampionat kundër Kukësit.

Presioni është i madh nga presidenti Refik Halili, i cili është i pakënaqur me rezultatet e skuadrës, dhe sigurisht, trajneri mban përgjegjësinë kryesore në këtë situatë. Akoma më e madhe është trysnia e tifozëve, të cilët nuk janë ndier shumë, por kurrsesi nuk do të falin një tjetër gabim në Kukës. Situata bëhet mbytëse, kur Ze Maria kupton se sulmues bomber siç do trajneri është vështirë të gjendet me gjithë gatishmërinë e klubit dhe ai e stafi i ekipit duhet të luftojë me kohën për të bërë gati Majkëll Ngonë. Shkurt, Ze Maria e kupton se nëse nuk fiton në Kukës, situata bëhet kritike për Tiranën dhe vetë atë. Sepse ai është që e pëson, ndërsa lojtarët, paçka fajit apo jo, do të mbeten për një sezon pjesë e bardhebluve, paçka dëshirës së ndonjërit për t’ua faturuar atyre situatën e rezultateve…

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"