TENIS/ Bota e sportit përulet përpara zviceranit, Serena Uilliams: Roxher Federer, mirë se vjen në klubin e pensionistëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2022 | 10:45

TENIS/ Bota e sportit përulet përpara zviceranit, Serena Uilliams: Roxher Federer, mirë se vjen në klubin e pensionistëve

Roxher Federer ka njoftuar dy ditë më parë zyrtarisht tërheqjen nga sporti i tenisit. Legjenda e këtij sporti ka trishtuar mijëra fansa nëpër botë me njoftimin e lamtumirës.

SERENA UILLIAMS ROXHER FEDERER

Menjëherë pas këtij lajmi ka pasur reagime të shumta nga ikona të sporteve të ndryshme në mbarë botën. Një tjetër legjendë e tenisit, e cila vetëm pak ditë më parë gjithashtu njoftoi fundin e karrierës, është Serena Uilliams.

Kjo e fundit ka reaguar me një postim origjinal pas lajmit për largimin e Federerit. “Mirë se vjen në klubin e pensionistëve”, shkruan Serena Uilliams në profilin e saj në rrjetet sociale.

Kështu në vetëm pak javë, pas tërheqjes së Serena Uilliamsit, tenisi nuk do të jetë më i njëjtë, teksa përshëndetet me një tjetër legjendë, si Federer.

Por gjithashtu kampion të ndryshëm janë përulur para zviceranit, duke filluar nga rivali i tij në fushë, Rafael Nadal, deri te disiplinat e tjera si Moto GP, Mark Markez. Nadal ka shkruar në profilin e tij të rrjetit social “Twitter” se kjo ditë nuk do të dëshironte të vinte kurrë:

“I dashur Roxher, miku dhe rivali im! Është një ditë e trishtueshme për mua personalisht dhe për të gjithë sportistët anë e mbanë botës. Ishte kënaqësi, nder dhe privilegj për mua që të ndanim kaq shumë vite së bashku, duke jetuar momente të paharrueshme brenda dhe jashtë fushës.

Kemi kaq shumë për të kaluar së bashku në të ardhmen”, ishte mesazhi i spanjollit Nadal. “Faleminderit për gjithçka Roger, shihemi së shpejti”, ishte mesazhi i legjendës Rod Laver. “Ai ishte një nga idhujt e mi dhe një burim frymëzimi. Do të doja të luaja përsëri me ty. Të uroj gjithë fat”, shkroi Karlos Alkaraz, kampion i freskët në turnen Us Open.

“Faleminderit Roxher për gjithçka që ke bërë për tenisin dhe për mua. Bota e tenisit nuk do të jetë kurrë e njëjtë pa ty”, ishte përshëndetja e Huan Martin Del Potro, i cili mundi Federerin në finalen e US Open në vitin 2009.

“Federer? Është si Valentino Rosi që u largua vitin e kaluar. Ne flasim për njerëz që bënë diçka ndryshe në sport. Gjithmonë bëja tifo për Nadalin, por klasi i Roxher ishte diçka unike”, deklaroi Mark Markez.

Kështu, tenisi humbet një ikonë, i cili ka shkruar historinë e këtij sporti me një karrierë të pabesueshme.

Në historinë e tenisit, vetëm Rafael Nadal (22) dhe Novak Xhokoviç (21) kanë fituar më shumë trofe Grand Slam (Australian Open, Roland Garros, Uimbëlldon dhe US Open) se zvicerani.

Federer debutoi si profesionist që në moshën 16- vjeçare në vitin 1998 dhe fitoi trofeun e parë Grand Slam në Uimbëlldon në vitin 2003. Në total, e ka fituar 8 herë turneun anglez.

Triumfi i fundit u shënua në vitin 2018 në Australian Open, kur Federer, në atë kohë 36 vjeç, u bë tenisti më i vjetër në moshë që fitonte një nga katër turnetë më të mëdhenj të tenisit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"