Telushi në stërvitje, te Partizani “fërkojnë duart” për premio

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 22, 2018 | 17:38

Telushi në stërvitje, te Partizani “fërkojnë duart” për premio

Pas rikthimit të Edgar Çanit, i cili kishte një kohë të gjatë që ishte jashtë fushave për shkak të një dëmtimi, një tjetër futbollist mjaft i rëndësishëm për formacionin e kuq pritet të rikthehet shumë shpejt. Bruno Telushi, mesfushori vlonjat që u bë pjesë e ekipit gjatë merkatos së janarit, ka kryer një muaj më parë një operacion në gju, që ishte më shumë një pastrim dhe gjatë kësaj periudhe ka zhvilluar përgatitje të diferencuar.

telushi

Por, mësohet se lojtari tashmë është gati që të nisë përgatitjet në fushë dhe shumë shpejt të jetë gati për trajnerin Dalipi. Pas operacionit, gjendja e futbollistit paraqitet e mirë dhe kjo e ka bërë optimist stafin teknik se në këtë pikë delikate të kampionatit, mund të ketë organikën e plotë për të siguruar objektivin, që është minimalisht vendi i tretë, për të marrë pjesë në Kupat e Europës.

KALENDARI

Të kuqtë kanë një kalendar mjaft të vështirë në këtë fund të fazës së tretë dhe në fillimin e fazës së fundit të kampionatit. Tri transferta delikate, që konsiderohen edhe si vendimtare për Europën. Laçi, Kamza dhe Kukësi janë ekipet që të kuqtë do të përballen jashtë fushës së tyre, ku prej tyre kurbinasit dhe verilindorët i kanë edhe rivalë direkt në garën për Europën.

trashi batha telushi

Për këtë arsye, burime pranë klubit të kuq bëjnë me dije se gjithmonë e më shumë po flitet për një premio në prag të këtyre ndeshjeve, por ende nuk ka dalë as shifra dhe as sa do të jenë pikët që drejtuesit kërkojnë në mënyrë që futbollistët të përfitojnë shpërblimin. Në këtë sezon, klubi ka qenë i rezervuar me shpërblimet që ka dhënë për lojtarët, për shkak të rezultateve jo të mira që janë arritur.

telushi

SKUADRA

Duke shfrytëzuar pushimin e kampionatit, stafi teknik ka lënë disa ditë pushim futbollistët, një pjesë e madhe e të cilëve janë larguar drejt familjeve të tyre jashtë vendit. Megjithatë, skuadra do të rinisë përgatitjet për ndeshjen ndaj Kamzës ditën e premte dhe mbrëmjen e sotme të gjithë lojtarët do të rikthehen në kryeqytet.

ARMAND HALILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"