Televizioni ZDF “kualifikon” gabimisht Italinë në Rusi, Lëv tallet: Çfarë duan këta këtu?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 12, 2017 | 12:42

Televizioni ZDF “kualifikon” gabimisht Italinë në Rusi, Lëv tallet: Çfarë duan këta këtu?

Pas barazimit 0-0 kundër Anglisë në “Wembley”, trajneri Joakim Lëv u shfaq i kënaqur me paraqitjen e kampionëve të tij të botës. Jogi ishte i relaksuar dhe kur i nxorën në grafikën e televizionit “ZDF” rivalet e tij të mundshme në grupet e Botërorit në shortin e 1 dhjetorit, ai vuri re një detaj që ndoshta shumëkujt mund t’i kishte shpëtuar.

Joakim Lev

Në vazon 2 gjendej Italia, “macja e zezë” e “pancerave”, e cila vetëm pak minuta më përpara kishte pësuar shokun e parë në “Friends Arena” të Stokholmit. Suedia kishte fituar “play-off”-in e vajtjes me rezultatin 1-0, duke bërë një hap shumë të rëndësishëm drejt Rusisë verën e ardhshme, por gjermanët kishin llogaritur “axurrët” që do shkonin në Botëror, detaj, i cili nuk i shpëtoi teknikut gjerman.

“Një pyetje kam: Përse ndodhet Italia aty?” pyeti Joakim Lëv. Moderatorja e “ZDF-Studio”, Katrin MylerHohenshtain, e kuptoi gabimin dhe tentoi ta kalonte atë me një batutë për trajnerin, duke i thënë se kaq shumë e shqetësonte Italia që ndodhej atje. Por Lëv iu përgjigj me elegancë: “Nëse ata kanë humbur 1-0 sonte, atëherë mendoj se i ndarë me një vizë, duhet të qëndrojë edhe emri i Suedisë përkrah tyre”.

Në “Wembley” Gjermania nuk shënoi për herë të parë në një ndeshje që prej 15 nëntorit 2016, kur përballë kishte pikërisht Italinë. Jogi u shfaq i kënaqur në tërësi për atë që pa kundër “Tre Luanëve”, por pranoi se automatizmi i skuadrës nuk funksionoi. Megjithatë, zhvendosjen e skuadrës nga mbrojtja në sulm ai shpreson që ta shikojë më të shpejtë në ndeshjen e së martës në Këln.

“Franca është një kundërshtar i nivelit botëror me lojtarë klasi. Ata janë një skuadër edhe më ofensive sesa Anglia”. Në lidhje me formacionin që do të përballet kundër skuadrës së Didie Deshampit, ai konfirmoi se në mesfushë do të ketë një vend për Mario Gëcen.

ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"