Telenovela “Sejdini”, lojtari bën lëmsh Sopotin dhe AF Elbasanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2022 | 21:30

Telenovela “Sejdini”, lojtari bën lëmsh Sopotin dhe AF Elbasanin

Një telenovelë e mirëfilltë po zhvillohet në Librazhd dhe Elbasan, mes dy ekipe të këtyre qyteteve, ku personazhi kryesor është sulmuesi Artur Sejdini. Ai ka bërë lëmsh dy qytetet dhe drejtuesit e klubeve pas vendimeve kontradiktore që sulmuesi ka pasur.

Sejdini

Më 3 qershor, “Panorama Sport” kontaktoi sulmuesin pasi u aludua se ai do ta mbyllte këtë verë aventurën me librazhdasit dhe do të largohej, por në përgjigjen e tij, Sejdini sqaron se ende nuk ka vendosur e është në bisedime me administratorin Andri Çota dhe se brenda javës do ta vendoste.

Por nuk zgjati as dy ditë dhe faqja zyrtare e ekipit të Sopotit në “Facebook” njoftoi se me Sejdinin është arritur një marrëveshje për të qëndruar edhe një sezon në Librazhd. Sërish gazeta kontaktoi Sejdinin dhe e pyeti nëse ky lajm konfirmohet nga ai dhe përgjigjja e 29-vjeçarit ishte “po”. Kështu, Sejdini pohonte lajmin e bërë publik në rrjetet sociale nga klubi i Sopotit duket mbyllur çdo aludim lidhur me të ardhmen e tij.

Por kjo nuk ndodhi, pasi telenovela sapo ka filluar dhe vetëm pas dy ditësh mësohet se Sejdini ka qenë në kontakte me klubin AF Elbasani për t’iu bashkuar këtyre të fundit për sezonin e ardhshëm. Sapo vihen në dijeni të këtij lajm drejtuesit librazhdas habiten dhe kontaktojnë Sejdinin duke e pyetur lidhur me këtë lajm, por ai i qetëson dhe thotë se janë veç lajme mediatike.

Mirëpo, teksa ditët kaluan lajmet se Sejdini ishte dakordësuar edhe me drejtuesit e Elbasanit për të vazhduar karrierën e tij aty u bënë edhe më bindëse duke lënë të kuptohej se lojtari kishte bërë lëmsh një qytet të tërë që prej 3 sezonesh nuk ia kurseu brohoritjet dhe duartrokitjet lojtarit të tij më të mirë.

Pyetjes së gazetës nëse është e vërtetë se ka ndërruar mendje dhe i është bashkuar Elbasanit, Sejdini ka zgjedhur të mos i përgjigjet duke lënë të kuptohet se ai ka zgjedhur përfundimisht Elbasanin. Por duke qenë ende herët për të hedhur të zezën mbi të bardhë në kontratë, e sigurt është që telenovela e lojtarit me dy ekipet do të vazhdojë edhe për disa javë.

LEDION QOSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"