Telashet s’kanë fund, thellohet borxhi për Flamurtarin në Tatime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 27, 2020 | 9:18

Telashet s’kanë fund, thellohet borxhi për Flamurtarin në Tatime

Borxh i rritur dhe llogari bankare të bllokuara. Flamurtari është në kaos total të funksionimit si klub. Sikur të mos mjaftonin pagesat për një vit të ekipit që mbylli sezonin e kaluar në Vlorë, si dhe të lojtarëve që janë aktualisht pjesë e Flamurtarit, një tjetër borxh, vështirëson edhe më shumë situatën. 

Flamurtari-tifozet

Bëhet fjalë për detyrimet ndaj Tatimeve. Në një kohë që në muajin nëntor të vitit të kaluar, borxhi ndaj Tatimeve kishte kapur shifrën e 1.4 miliardë lekëve, në fillim të këtij viti është rritur edhe më shumë. Këtij borxhi i shtohen për muajt dhjetor dhe janar edhe 56 milionë lekë të tjera.

Burime pranë Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Vlorë konfirmojnë për “Panorama Sport” se borxhi në Tatime vijon të rritet edhe më shumë, duke vështirësuar situatën. Për çdo muaj që klubi nuk shlyen detyrimet në Tatime, kjo shumë rritet me 20%. Vetëm për sigurimet shoqërore të lojtarëve, klubi vlonjat paguan rreth 28 milionë lekë të vjetër në muaj.

 MARRËVESHJA – Drejtoria Rajonale e Tatimeve në Vlorë i ka ofruar Flamurtarit si lehtësi pagesën me këste të këtyre detyrimeve, por nga klubi nuk ka asnjë hap të ndërmarrë. Kjo në kuadër edhe të ndryshimeve të reja ligjore, ku për subjektet që kanë ortak shtetin, si në rastin konkret, klubi ka bashkinë, pagesat e detyrimeve tatimore të mund të bëhen me këste. Por, drejtuesit e Flamurtarit, edhe pse janë njohur me këtë lehtësi që u është ofruar, deri më tani nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për të lidhur marrëveshjen.

flamurtari tribuna vip

LLOGARITË – Flamurtari vijon të jetë me llogari bankare të bllokuara. Klubi nuk mund të bëjë asnjë transaksion apo veprim bankar. Llogaritë janë të bllokuara qysh nga sezoni i shkuar. Situata është problematike, në një kohë që nuk dihet se çfarë zgjidhjeje do t’u japë klubi, pagesave të lojtarëve që ka aktualisht në ekip, apo edhe të rinjve nëse federohen, si dhe stafit teknik.

Llogaritë nuk zhbllokohen nëse nuk paguhen detyrimet në Tatime. Në të kundërt, Flamurtari duhet që të gjejë alternativa të tjera për të paguar lojtarët, ose nga konto të tjera bankare, ose nën dorë.

E. Sika – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"