Telashet e Barcelonës, nuk fiton dot pa Mesin! Blerjet e verës nuk bëjnë dot diferencën

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Nëntor 12, 2019 | 18:07

Bota La Liga Të fundit

Telashet e Barcelonës, nuk fiton dot pa Mesin! Blerjet e verës nuk bëjnë dot diferencën

Barcelona endej në fushën e lojës në pjesën e parë të ndeshjes kundër Selta Vigos. Një ekip i vakët, pa zgjidhje dhe i paaftë për të vënë në rrezik portën e Ruben Blankos. 

mesi

Portieri kishte menduar një mbrëmje më të vështirë, por nuk dukej kaq shumë. Duket diçka e bukur për të, deri në momentin që u shfaq Lionel Mesi. Fillimisht me penallti dhe më vonë me 2 goditje dënimi. Njërin në fundin e pjesës së parë dhe tjetrin 3 minuta pasi filloi pjesa e dytë. Kaq ishte. Loja mbaroi. Dhe Barcelona u rikthye sërish të lavdërohej për figurën e madhe, ashtu siç ka ndodhur në vitet e fundit.

Kur ekipi katalanas është në vështirësi, shfaqet argjentinasi dhe bën ligjin. Ajo e së shtunës ishte një mbrëmje për të marrë leksione se si goditen faullet. Aq mjaftuan për të marrë 3 pikët. Të flasësh për madhështinë e këtij lojtari, duhet shumë kohë, prandaj sot do të merremi me anën tjetër të medaljes. Do të analizojmë pjesën negative të Barcelonës. Sepse Lionel Mesi nuk mund të shfaqet gjithmonë.

mesi barcelona

Ka ndeshje kur edhe ai nuk është në një ditë të mirë (kjo ndodh shumë rrallë). Ernesto Valverde nuk ka arritur dot ende të ndërtojë një skuadër, një grup lojtarësh në nivelin kolektiv apo individual që t’i fitojë ndeshjet lehtësisht pa kontributin e Lionel Mesit. Për të qenë një skuadër kompetitive, duhet të ndodhë kjo, por për momentin skuadra fshihet pas kapitenit të saj. Ndoshta biem në përsëritje, por mjaftojnë dy rastet kundër Romës dhe Liverpulit për të shpjeguar gjithçka në lidhje me këtë situatë.

“Pleshti” nuk u shfaq dhe katalanasit vuajtën, derisa u turpëruan në këto ndeshje. Objektivi që drejtuesit kishin planifikuar në verë ishte afrimi i lojtarëve të rinj dhe rifreskimi i formacionit bazë. Klubi shpenzoi 200 milionë euro për transferime të mëdha si Frenki De Jong dhe Antuan Grizman. I pari do të forconte mesfushën, ndërsa i dyti sulmin. Erdhi si një goleador nga Atletiko, e njihte La Ligën dhe pritej shkëlqimi i tij. Kur ka përfunduar 1/3-ta e kompeticionit, realiteti tregon krejt të kundërtën.

mesi vida

De Jong ka shkëlqyer dhe me performancat e tij i ka bindur të gjithë, por nuk mund të flasim për një futbollist që në ditët e sotme bën diferencën dhe vulos ndeshjet. Grizman nga ana tjetër nuk ka qenë i zoti që të përfshihet dhe të përshtatet menjëherë në sistemin sulmues të ekipit. Më e keqja është që nuk jep asnjë shenjë përmirësimi në integrimin në skuadër. E vërteta është që Barcelona ka arritur t’i marrë rezultatet në shumë ndeshje, por loja nuk bind aspak. I ka zgjidhur sepse në gjirin e saj ka një lojtar si Lionel Mesi. Në ndeshje të tjera u është falur pritjeve të Ter Shtegenit, siç ndodhi në Dortmund dhe në pjesën e parë me Interin.

Nëse nuk do të ishte për portierin, klasifikimi në Champions do të ishte shumë i keq. Luis Suarez gjithashtu ka dhënë kontributin e tij në disa ndeshje. Avantazhi i madh që ka Valverde është se gjithçka negative që po ndodh kundërshtohet nga klasifikimi. Barcelona është në vendin e parë në kampionat dhe në Champions. Barcelona është në jetë falë Leo Mesit dhe ditën kur do të largohet ai, do të jetë një trishtim i madh. Të jetosh kështu, është rrezik…

Përgatiti: GENTJAN ALINANI




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com