Telashe pa fund për Dajën, Skënderbeu i “fashuar”. Dëmtohen edhe dy lojtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2019 | 11:40

Telashe pa fund për Dajën, Skënderbeu i “fashuar”. Dëmtohen edhe dy lojtarë

Skënderbeu është duke përgatitur ndeshjen e radhës në kampionat dhe pas fitores me Teutën, korçarët kërkojnë vijimësi edhe në ndeshjet e radhës. Një objektiv i cili paraqitet i vështirë, duke parë transfertën në Shkodër të bardhekuqve dhe mbi të gjitha problemet e dëmtimeve, me të cilat Skënderbeu duhet të përballet në këto momente.

skenderbeu

Pavarësisht se sfida me Vllazninë është delikate edhe për vijimësinë e ekipit, por edhe për objektivin që ka Skënderbeu këtë sezon, ajo që nuk po u ndahet korçarëve është fakti që shumë lojtarë herë pas here ndalen në bokse si pasojë e dëmtimeve që në këtë periudhë kanë qenë të shumta. Në momentin që flasim, Ilir Daja ka tri dilema të rëndësishme për ndërtimin e formacionit. Mungesa, të cilat kushtëzojnë formacionin dhe paraqitjen e bardhekuqve në këtë takim.

MUNGESAT

Nuk është vetëm gjendja e kapitenit Gjergji Muzaka ajo që i shqetëson bardhekuqtë në prag të kësaj ndeshjeje. Trajneri i Skënderbeut bën llogaritë edhe me lojtarë të tjerë që nuk do t’i ketë në dispozicion për ndeshjen e radhës. Por le ta nisim nga kapiteni.

gjergji muzaka

Pavarësisht tentativave të stafit për të rikuperuar në kohë Muzakën, futbollisti vijon ende të jetë duke zhvilluar veçmas seancat stërvitore. Kjo pasi edhe pse ka provuar të bashkohet me grupin, mesfushori ka ndierë sërish dhimbje e për pasojë do t’i duhen edhe disa ditë rikuperimi para se të bashkohet me Skënderbeun. Nga ana tjetër, edhe Taipi dhe Daja kanë shfaqur probleme seancën e fundit stërvitore.

shqiprim taipi

Të dy mesfushorët janë parë të ankohen për dhimbje në muskujt që nuk po i lejojnë të bëjnë të plotë stërvitje me grupin. Nëse Daja ka një shpresë të madhe për t’u rikuperuar në kohë për këtë takim, e kundërta mund të thuhet për Taipin. Mesfushori shqiptar nga Maqedonia e Veriut ka zhvilluar seancë veçmas grupit dhe gjendja e kaviljes së tij duket se nuk është e lehtë për t’u rikuperuar në një kohë kaq të shkurtër.

Kjo ka sjellë edhe dilemën e madhe për Skënderbeun, që në kushte të tilla numëron dy mungesa të sigurta për ndeshjen e radhës. Pa Muzakën dhe Taipin dhe me dilemën e rikuperimit në kohë të Dajës, trajneri bardhekuq ka në dispozicion vetëm tre elementë në mesfushë. Kjo sjell një rreshtim të detyruar me Mujën dhe Ditën nga minuta e parë dhe më pas balotazhi Mara dhe Daja nëse ky i fundit ia del të jetë gati për këtë takim.

Llazi Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"