Tek Lushnja punojnë për konfirmimet, klubi blindon mesfushorin e talentuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 9, 2021 | 23:03

Tek Lushnja punojnë për konfirmimet, klubi blindon mesfushorin e talentuar

Vjen rinovimi i radhës te Lushnja. Pas afrimit të portierit Livio Malaj e konfirmimit të sulmuesit Ervis Gjyla, ka zgajtur kontratën edhe mesfushori Alemao Zdrava.

lushnjaa

Nga kontigjenti i 12 futbollistëve që janë nën urdhrat e Ilir Gjylës prej tri ditësh, janë këta të vetmit që kanë siguruar të ardhmen. Futbollisti i linjës së majtë do të luajë sezonin e dytë te verdhejeshilët, ndërsa kujtojmë se më parë ka qenë pjesë e Shkumbinit dhe Turbinës. Në sezonin 2020-2021 u rikthye te skuadra “mëmë”, teksa mori 1135 minuta nga 16 ndeshje. Tashmë, 23- vjeçari ka nënshkruar marrëveshje 1-vjeçare dhe është më shumë se i lumtur.

Gjatë një bisede të shkurtër për “Panorama Sport”, Zdrava shprehet: “Jam shumë i kënaqur që kam rinovuar me Lushnjën. Kisha shprehur gatishmërinë për të qëndruar dhe gjithçka shkoi mirë, derisa firmosa. Tashmë nuk më mbetet tjetër veçse të punoj me përkushtim dhe të justifikoj besimin e dhënë”. Ky do të jetë vetëm fillimi për lushnjarët, pasi planet janë për të vazhduar me rinovimet dhe përforcimet.

Trajneri nga merkatoja pret të paktën 10 lojtarë, ndërsa ka paralajmëruar se do të ndryshohet organika në masën 70%. Klubi ka shtuar buxhetin për vitin 2021, ndaj edhe pretendimet do të rriten. Nëse kampionatin e fundit nuk kapën as “play off”-in, këtë herë do të tentojnë shumë më shumë: ngjitjen në elitë. Drejtuesit llogarisin pjesë të grupit edhe Vilfor Hysën, i cili bëri një kampionat dinjitoz. Sulmuesi nuk ka dalë ende në stërvitje dhe shpresohet që në ditët e ardhshme të shkohet drejt akordit.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"