“Tek Interi për titull”, boshnjaku kërcënon anglezët: Liverpuli nuk na tremb

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2022 | 18:53


“Tek Interi për titull”, boshnjaku kërcënon anglezët: Liverpuli nuk na tremb

“Jemi të parët dhe duam ta mbyllim të parët”. Me këtë mesazh për rivalët dhe mbështetësit zikaltër e ka nisur Edin Xheko intervistën e tij për “Corriere della Sera”-n, duke mos harruar që në fillim të sezonit, pakkush besonte tek ata.

XHEKO 2

“Në fillim flitej vetëm për Milanin dhe Napolin për titullin, askush nuk fliste për ne, por ja ku jemi. Tani kemi para një sfidë të rëndësishme. Sfidat e mëdha do t’i fitosh e nëse fiton derbin je një hap para, por titulli fitohet me skuadrat e vogla dhe kur humb ndaj tyre peshon më shumë”, është shprehur gjigandi boshnjak duke mos iu shmangur pyetjeve mbi Lukakun dhe të shkuarën, pa harruar të zbulojë marrëdhënien me Inzagin dhe me objektivat.

Prisnit të kishit një impakt kaq pozitiv apo zëvendësimi i Lukakut ju shkaktonte ankth? – Nëse shkon në një vend dhe mendon për ata që kanë qenë para teje, atëherë nuk arrin asgjë. Nëse do e kisha menduar Lukakun sikur edhe për një moment, nuk do të kisha ardhur. E di çfarë jam në gjendje të bëj dhe nuk habitem për rezultatet që kam këtë vit.

Duhet të vinit tek Interi dy vite më parë. Konte ju ka kërkuar? – Konte më ka kërkuar që kur ishte te Çelsi, por unë nuk doja të kthehesha në Angli. Pastaj kur erdhi tek Interi më kërkoi përsëri, por vetëm tani u realizua. Kështu ishte e shkruar.

Interi ka ndryshuar me Inzagin. Cili është raporti juaj me të? – Inzagin e shikoj si shok skuadre sepse sillet shumë mirë me të gjithë ne dhe është i drejtpërdrejtë me të gjithë. Ishte e rëndësishme të mbante bazën e Kontes, por ka imponuar metodat e tij. Në dy vitet e fundit, Interi luante më shumë në kundërsulm, tani zbaviten të gjithë. Unë jam nga ata që di të luaj me top dhe nuk mendoj vetëm për golin.

Si e përjetoni periudhën kur nuk shënoni? – Në periudhën që unë nuk kam shënuar, skuadra ka fituar gjithsesi dhe jam i lumtur për këtë. Po të kisha shënuar dhe të ishim në vendin e katërt, atëherë mund të më pyesnit. Po tani jemi të parët.

Si e prisni sfidën me Liverpulin? – Me Liverpulin do të luajmë shanset tona. E treguam edhe me Realin ku luajtëm dy ndeshje shumë të mira, madje të parën dhe mund ta kishim fituar dhe nuk e kishim arritur ende nivelin që kemi sot. Liverpuli ëahtë i fortë, mund t’i mundësh ose mund të pësosh 5 gola. Do të bëjmë më të mirën, por mos na merrni për kafshatë të lehtë”.

Ndërkohë në Angli keni mbajtur veshur fanellën e Mançester Sitit dhe jeni stërvitur nga Mançini. – Te Mançester Siti më ka shkuar mirë. Nëse do të kuptosh kush je, duhet të shkosh të luash në Premier Ligë me më të mirët. Aty stërvitesha me Mançinin, që ka bërë një mrekulli duke fituar Europianin. Askush nuk e priste. Pastaj unë nuk prisja as që Italia të renditej e dyta në kualifikueset e Botërorit. Do të jetë e veshtirë, por mendoj se për italianët do të ishte katastrofale të ngeleshin përsëri jashtë Botërorit.

Pastaj aventura me Romën me ulje-ngritje… – Te Roma mbërrita kur isha 30 vjeç dhe isha në momentin më të mirë të karrierës sime. Nuk doja të rrija në stol në Mançester dhe nuk pendohem për zgjedhjen që kam bërë. Ishin 6 vite fantastike dhe mungoi vetëm një trofe për t’i kurorëzuar. Romën e mbaj gjithmonë në zemër.

Ju e keni jetuar nga afër situatën Toti-Spaleti. Ç’mund të na thoni? – Situata mes Totit dhe Spaletit mund të zgjidhej në një mënyrë tjetër: njëri ishte trajner i madh dhe tjetri një legjendë. Më vjen keq që nuk e kam takuar më parë Françeskon, do të ishim zbavitur shumë bashkë, por gjithsesi jam krenar për kohën që kemi kaluar dhe për skuadrën që kemi formuar bashkë. Tani mendoj vetëm për Interin. Jam këtu për të fituar titullin.

NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL