Tek 10 më të mirët, ish-portieri i Kombëtares shqiptare nderohet nga grekët: U shkri me fanellën…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 5, 2020 | 0:24

Tek 10 më të mirët, ish-portieri i Kombëtares shqiptare nderohet nga grekët: U shkri me fanellën…

Një shqiptar vazhdon të kujtohet në Greqi edhe pas 17 vitesh. Bëhet fjalë për ish-portierin e Kombëtares shqiptare, Arian Beqaj, i cili nga 1997 deri në 2003 ishte pjesë e OFI-t të Kretës në Superligën greke. Portieri nga Prizreni la gjurmë në ekipin e njohur grek, që ka përfaqësuar denjësisht zonën e ishullit të Kretës në futbollin helen.

Arjan Beqaj

Beqaj u bë portieri i parë në historinë e kampionatit grek edhe për faktin se në sezonin 2000-2001 arriti të shënonte një gol me kokë pas një goditjeje nga këndi. Sot, 17 vite më pas, kur Beqaj bën detyrën e trajnerit të portierëve te klubi qipriot, Anorthosis Famagusta, kujtohet në Greqi nga mediat lokale të vendit ishullor.

Është portali “capitano.gr”, që ka bërë një sondazh me 10 lojtarët më të mirë të huaj që kanë veshur fanellën e OFI-t që nga themelimi i klubit. Në portë është pikërisht Beqaj, i cili luajti me bardhezinjtë e OFI-t 159 ndeshje në kampionatin grek. Ai është futbollisti i dytë i huaj në historinë e klubit nga Kreta me më shumë ndeshje.

beqaj1

“Beqaj zuri ‘rënjë’ te OFI, duke u shkrirë me fanellën dhe fituar simpatinë e të gjithëve. Më pas vazhdoi karrierën në ishullin e Afërditës”, citohej për ish-portierin. Kujtojmë që kosovari ka luajtur 44 ndeshje me fanellën e Shqipërisë në vitet 1998-2010. Ndërsa për tre sezone në fillimet e karrierës, Beqaj ishte pjesë e Partizanit në kampionatin shqiptar, duke fituar Kupën në vitin 1997 me trajner Sulejman Starovën.

Beqaj44

Faksimile e shkrimit për Arjan Beqajn dje në mediat greke

 

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"