Tedi Cara “qan” dëmtimin: Do ta mbaj fjalën, shënoj 20 gola për Besën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 25, 2019 | 23:50

Tedi Cara “qan” dëmtimin: Do ta mbaj fjalën, shënoj 20 gola për Besën

Tedi Cara “qan” dëmtimin dhe lënin e pikëve në mbyllje të 2019-ës. Shënuesi më i mirë i kavajasve, në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, shpreh keqardhje për humbjen e pësuar përballë Lushnjës. 

tedi-caraaaaa

“Vinin pas tri fitoreve radhazi e askush s’e kishte menduar që do të na ‘fluturonin’ pikët. Momenti e kërkonte që kurrsesi të mos humbisnim. Duhej patjetër më së paku të barazonim në këtë fundvit. Vërtet duhen ‘qarë’ pikët e lëna, sepse më shumë ne mundëm veten se sa na mundi Lushnja”, u shpreh fillimisht 19-vjeçari.

DËMTIMI – Më tej u ndal te dënimi që e detyroi të linte fushën në të 41-ën minutë. “Nuk e mbylla dot të gjithë ndeshjen përballë Lushnjës. Ai dëmtim në këmbë më detyroi të ndërrohesha. Kështu që nuk e ndihmova dot më shumë ekipin, deri pak minuta para mbylljes së pjesës së parë. Pikërisht atëherë kur e patëm ekuilibruar gjithçka në fushë dhe madje nga çasti në çast pritej që të shënonim.

Për fat të keq nuk ndodhi kështu dhe kjo humbje duhet harruar tashmë. Vështrimi jo vetëm nga unë, por edhe tërë shokët e tjerë të ekipit tani duhet hedhur te takimet e tjera kur të rinisë kampionati në fund të muajit të ardhshëm. Unë do të bëj gjithçka që në këto ditë pushimesh të kaloj dëmtimin duke u rikuperuar plotësisht. Jam konsultuar me mjekun e skuadrës dhe do t’i respektoj me rigorozitet këshillat e tij për ta kaluar sa më shpejt dëmtimin”, u shpreh fillimisht qendërsulmuesi.

Cara

PREMTIMI – Më tej 19-vjeçari këmbëngul se do ta përmbushë premtimin për të shënuar 20 gola. “As që e çoj ndër mend të tërhiqem nga ai premtim që kam bërë, ku deri në fund të këtij sezoni dua të shënoj 20 gola që besoj se do të jenë një kontribut konkret për mbarëvajtjen në vijim të lojërave më të mira jo thjesht nga unë si individ, por i ekipit.

Kam besim të plotë se pretendimi i Besës për rezultate më pozitive se gjer më tani, do të fitojë më shumë terren se çdo gjë tjetër”, shprehu dje Tedi Cara bindjen e tij mbi atë se çfarë ai dhe skuadra kavajase duhet të bëjnë më tutje në gjysmën e dytë të këtij sezoni ku akoma Besa ka se çfarë të japë më shumë dhe më mirë”, përfundoi “njeriu gol” i Besës.

Feriz Ferizaj – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"