Tedi Cara, “Cikalleshi i ri” për sulmin e Partizanit. Lojtari i Besës gati të vishet i kuq

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2020 | 14:51

Tedi Cara, “Cikalleshi i ri” për sulmin e Partizanit. Lojtari i Besës gati të vishet i kuq

Partizani prej kohësh është në kërkim të gjetjes së një “bomberi” dhe gjatë verës u afruan tre sulmues të huaj, por të gjithë bashkë kanë shënuar vetëm dy gola në kampionat. Duke ditur se tregu i huaj nuk afron lojtarë cilësor dhe të lirë në këtë periudhë, drejtuesit e Partizanit i kanë kthyer sytë nga vendi, duke shënjestruar elementë të perspektivës dhe me moshë të re.

Tedi Cara

Njëri prej tyre është 19- vjeçari i Besës së Kavajës, Tedi Cara, i cili u është bashkuar dje kampionëve në seancën stërvitore të paradites. Parimisht, dy klubet e kanë gjetur akordin që Cara të vishet i kuq dhe jo më kot dje është vënë në urdhrat e trajnerit Adolfo Sormani, i cili pasi ta vëzhgojë nga afër, do të japë edhe vlerësimin e tij.

cara

Bëhet fjalë për një lojtar të datëlindjes 15 prill 2000, që bënë disa pozicione në fushë, nga mesfushor qendre, sulmues krahu, por edhe pikë referuese në majë të sulmit, gjë të cilën e ka përballuar me sukses te Besa në pjesën e parë të sezonit. Tedi Cara është golashënuesi më i mirë i kavajasve, ku në 12 ndeshje, ka shënuar tetë gola.

Cara (1)

Ai ka qenë gjithashtu pjesë e kombëtareve të moshave dhe me shumë mundësi në periudhën e dytë të sezonit do të mbajë veshur fanellën e kuqe. Parimisht, ky transferim quhet i mbyllur, por kanë mbetur për t’u përcaktuar edhe disa detaje mes presidentëve të dy klubeve, Gaz Demi dhe Nexhat Bizhdili, për formulën e kalimit nga Besa te Partizani.

tedi-caraaaaa

KARRIERA-

Tedi Cara që tani është shndërruar në një “bomber”. Për karakteristikat e lojës, shpejtësi, shkathtësi e teknikë, shumë tifozë në Kavajë e krahasojnë me Nimet Merhorin, ish-sulmuesin e shquar të viteve ’70-të. Por, për brezin e ri të tifozëve, ai krahasohet  me Sokol Cikalleshin, i cili mund të shpërthejë dhe reklamohet në radhët e Partizanit. Me të rriturit e Besës, ai ka nisur të luajë sapo mbushi 16 vjeç. Stazhi 3-vjeçar e ka “mbushur” me shumë besim e kurajë sulmuesin. Tedi Cara ka luajtur me Kombëtaren U19 dhe aktualisht aktivizohet me Kombëtaren U-20. Me 8 golat e shënuar në 12 javët e deritanishme i ka dhënë shumë pikë Besës. Ai konsiderohet një talent i pastër dhe për këtë arsye, Partizani ka nxituar për ta “rrëmbyer” sulmuesin 19-vjeçar.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"