Të vetmit pa sport, Vokopola: Është për të vënë duart në kokë, paradoksale kur shikon transportin publik hapur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2021 | 18:52

Të vetmit pa sport, Vokopola: Është për të vënë duart në kokë, paradoksale kur shikon transportin publik hapur

Pas një viti si 2020-ta, me pandeminë që i hodhi në erë të gjitha aktivitetet sportive në salla të mbyllura, duket se askush nuk po e vë ujin në zjarr për sportin as në 2021- shin.

Vokopola

Lidhur me këtë situatë të paprecedentë të sportit në Shqipëri, gazeta “Panorama Sport” ka intervistuar Albens Vokopolën, sekretarin e përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Volejbollit, i cili flet për indiferencën e organeve shtetërore ndaj kërkesave të shumta të FSHV-së.

Vokopola shpreh keqardhje që vendi i ynë ka mbetur i vetmi në Europë pa sport. Ai edhe njëherë tjetër e quan paradoksale konsiderimin e volejbollit si sport të rrezikshëm, ndërsa pritja e gjatë po kalon çdo lloj limiti.

KËRKESAT – Përveç shkresave, FSHV është ndër federatat që ka pasur edhe takime me organet shtetërore, megjithatë rezultati nuk ka qenë ai i dëshiruari: “Ne kemi qenë ndër të parët që kemi kërkuar hapjen, duke pasur kontakte të vazhdueshme me organet kompetente, gjithashtu kontakte kemi pasur edhe në fund të vitit.

Do të vazhdojmë të këmbëngulim që të na hapet drita jeshile sepse në mars bëjmë një vit që jemi të ndaluar. Por dua të kthehem edhe një herë tek ajo që kam deklaruar edhe më parë, ku nuk arrij të kuptoj rrezikshmërinë që ka ky sport në krahasim me të gjitha aktivitetet e tjera që janë hapur”, shprehet Vokopola.

TË VETMIT NË EUROPË – Zyrtari i sportit të rrjetës shpreh zhgënjimin e tij që Shqipëria ka mbetur i vetmi shtet në kontinent që e ndalon volejbollin:

“Ne vazhdojmë të jemi i vetmi vend në Europë ku nuk luhet volejboll dhe kjo është për të vënë duart në kokë. Fare pranë nesh, në Maqedoninë e Veriut po zhvillohen eliminatoret e europianit të meshkujve. Në Kosovë, në Malin e Zi gjithashtu volejbolli është kthyer në normalitet. Behët fjalë për vende ku numri i infektimeve madje është më i lartë se këtu te ne, ndërsa sporti nuk ndalohet”.

PROTOKOLLET – Sekretari i FSHV-së thotë se federata i ka gati të gjitha protokollet dhe se zbritja në parket nuk duhet quajtur e rrezikshme: “Sigurisht ne kemi kërkuar që hapja të mos bëhet pa protokolle.

Ndeshjet të zhvillohen pa publik, lojtarët të jenë të kontrolluar nga mjekët e klubeve, gjithashtu si lojtarët, stafet dhe gjyqtarët të plotësojnë certifikatat e vetëdeklarimit dhe të jenë të kontrolluar. Nëse ne e krahasojmë me transportin publik apo lokalet është paradoksale ta konsiderosh më të rrezikshëm volejbollin, një sport në ambient të madh dhe pa kontakt fizik”.

PRITJA E GJATË – Vokopola ngre alarmin se po kalohet çdo lloj limiti dhe se nuk mund të vazhdohet më në këtë situatë: “Ne u kemi kërkuar dhe do t’u kërkojmë përsëri organeve kompetente sepse duhet që t’i japin drejtim dhe të dimë nëse do të luhet apo nuk do të luhet më. Duhet ndarë mendja sepse rifillimi i sportit nuk bëhet sot për nesër, hap qepenin dhe fillon aktivitetin. Duhet bërë një program dhe duhet parë edhe njëherë të gjitha formulat e kampionateve, duhen njoftuar klubet”.

PASOJAT – Përveç kampionateve në vend, bllokimi i sportit do të ketë pasoja edhe për ekipin kombëtar, që do të marrë pjesë në eliminatore e europianit me një pjesë të madh të lojtarëve pa aktivitete. Lidhur me këtë problematikë Vokopola shprehet:

“Kjo ishte një goditje për të gjithë botën, por ajo që na bën përshtypje është qasja e autoriteteve, ku të gjitha vendet e kanë fokus sportin, ndërsa tek ne shikojmë që autoritetet nuk kanë vëmendje te sporti.

Shtetet e tjera po luajnë në mënyrë të rregullt, ndërsa ne po shkojmë drejt eliminatoreve që do të mbahen në maj, me shumë lojtarë që nuk janë në aktivitet, përjashto ata që luajnë jashtë, të cilët po paraqiten mjaft mirë”, përfundoi sekretari i përgjithshëm i FSHV-së.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"