Te Turbina e kanë me gjykimin, trajneri i Tomorit: Vazhdojmë të gabojmë, bëmë dhurata

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 10, 2020 | 23:13

Te Turbina e kanë me gjykimin, trajneri i Tomorit: Vazhdojmë të gabojmë, bëmë dhurata

Tomorit i iku fitorja nga duart dhe Bledar Sinella nuk e beson ende. Trajneri shpreh keqardhje për gabimet e bëra, ndërsa hapur thotë që ata po u bëjnë “dhurata” kundërshtarëve. “Skuadra luajti shumë mirë, por fitorja mbeti thjesht një mirazh. Për sa kohë gabon dhe i bën ‘dhurata’ kundërshtarit, detyrimisht pikët mbeten thjesht dëshirë. Vazhdojmë të gabojmë çdo ndeshje dhe kjo është e pafalshme dhe e pakuptueshme. Si mundet që futbollistë me kaq shumë eksperiencë të bëjnë gabime, që po na dëmtojnë sa i takon rezultatit dhe objektivave? Këtë duhet ta shpjegojë vetë skuadra, pasi unë vazhdimisht i kam tërhequr vëmendjen në stërvitje dhe në ndeshje”, u shpreh kavajasi i stolit beratas.

Sinella Tomori

Te Turbina kontestojnë golin e Mikel Cankës. Është shefi i klubit që reklamon se gjithçka nisi nga faulli dhe provë në këtë rast konsiderojnë dëmtimin që pësoi në kokë portieri Vogli Laroshi. Engjëll Belshi e quan brutale ndërhyrjen ndaj tij dhe rrjetën e pavlefshme. “Meritonim fitoren ndaj Tomorit, pasi ishim me lart se beratasit në çdo drejtim. Golin që na shënuan ishte faull, ndërkohë që e dominuam të gjithë takimin. Sulmuesi i tyre, Mikel Canka, ka shkaktuar faull te pastër ndaj portierit Vokli Laroshi, që e goditi me takë në kokë duke e dëmtuar rëndë.

Gjyqtari Edvin Hoxha duhet të jepte faull në dëm të portierit, pasi ndërhyrja ndaj tij ishte fatale. Ky gol duhej anuluar nga gjyqtari, që nuk u konsultua as me anësorin dhe as me të 4-in, duke akorduar një gol të parregullt. Pas ndeshjes, portieri ynë Laroshi është shoqëruar me urgjencë me ambulancë në spitalin e Beratit. Ka pasur një çarje të madhe në kokë dhe është qepur me gjashtë kapëse. Për fat, gjendja e tij është e stabilizuar”, u shpreh shefi i klubit të cërrikasve.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"