“Të tregohemi sa më cinikë”, Dalipi kërkon pikët e shpëtimit, trajneri i Lushnjës sheh fitoren: Bashkë ia dalim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2023 | 13:50

“Të tregohemi sa më cinikë”, Dalipi kërkon pikët e shpëtimit, trajneri i Lushnjës sheh fitoren: Bashkë ia dalim

Lushnja do të luajë gjithçka për gjithçka sot. Presin Dinamon që është me një këmbë në elitë dhe diferencat janë kolosale, por llogaritë bëhen vetëm me fitoren. Nëse duan që të shmangin rënien, zgjidhje tjetër nuk kanë. Skuadra ka pasur kohën e mjaftueshme për ta përgatitur këtë ndeshje, por vetëm dot do t’i japin dorën e fundit. Thuajse janë gati për të pritur kryeqytetasit dhe këtë e thekson edhe vetë Klevis Dalipi.

Klevis Dalipi

Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri shfaqet besimplotë para këtij 90- minutëshi. E pranon që do të jetë e vështirë, por jo e pakalueshme.

“Ndeshje shumë e vështirë pritet kjo me Dinamon. Vlerësim maksimal për ta dhe emrin e madh që kanë, por edhe ne jemi skuadër me traditë. Do të mundohemi që t’i përgjigjemi siç na ka hije. Duhet ta kalojmë këtë javë, ndaj në fushë do të hedh lojtarët që janë më në gjendje. Vërtet unë jam i ardhur, por më besoni që e ndiej këtë fanellë njësoj si lushnjarët.

Dua me çdo kusht që ta kalojmë këtë situatë të vështirë që po kalojmë. Dhe kjo mund të arrihet më lehtë, nëse jemi bashkë. Prandaj, po, dua të jem i kujdesshëm në zgjedhje.

Do t’i vlerësoj me kujdes lojtarët që janë stërvitur shumë mirë dhe me seriozitet gjatë kësaj jave. Të shikojmë se cilët do të aktivizoj. Kjo është një ndeshje ‘vitrinë’, le të themi. Përveç pozitave të vështira që jemi, cilido futbollist do të dëshironte të ishte në fushë të dielën. Nuk besoj që ka nevojë për shumë karikim”, tha fillimisht tekniku elbasanas.

KËSHILLAT – Ka edhe disa këshilla për ekipin dhe sidomos për fazën ofensive.

“Unë mendoj që do të jetë një duel, ku Lushnja do të jetë e pranishme. Ata e dinë shumë mirë që pa luftë, nuk arrihet gjë. Këtë e kam thënë dhe e rithem sa herë më vjen mundësia. Ndaj le të tregohemi të vëmendshëm në çdo moment dhe çdo cep të fushës. Ne duhet të jemi edhe shumë inteligjentë gjatë lojës. Pra, mos mendoni se do të jetë një ndeshje me shumë episode.

Unë do të doja që të dilnin ato rastet me pikatore dhe ne të ishim cinikë. Të shënonim dhe të merrnim atë që dëshirojmë të gjithë. E dimë që përballë kemi një skuadër shumë të fortë. Prandaj, do impenjim. Mbështetja e tifozërisë nuk na mungon, pasi e sigurt që do të jenë të pranishëm. Edhe të drejtuesve patjetër, pasi kanë qenë gjithmonë të gatshëm për ne.

Edhe pse kemi qenë në pozita jo të mira, kanë qenë shumë korrektë me ne. Tani na mbetet që t’ua shpërblejmë atyre njerëzve, që na mbështesim dhe atyre njerëzve, që na duartrokasin në stadium. Prandaj, karikimi është i pranishëm. Dua shumë vigjilencë, sepse episodet bëjnë dallimin në ndeshje të caktuara”, përfundoi Dalipi.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"