Te Tomori kanë objektiv të festojnë siç duhet, vetëm elitë për 100-vjetorin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 29, 2021 | 16:10

Te Tomori kanë objektiv të festojnë siç duhet, vetëm elitë për 100-vjetorin

Sulmuesi i njohur lushnjar Brunild Pepa, pas një prezantimi në nivel të lartë gjatë sezonit të kaluar me Tomorin ku shënoi 9 gola, tashmë pret të konfirmohet si pjesë e beratasve edhe në sezonin 2021-2022. Në kampionatin e fundit ai fitoi jo vetëm statusin e një titullari fiks dhe shumë të rëndësishëm në lojën e Tomorit, por edhe falë lojës së bukur dhe kontributit të çmuar u bë vendimtar në disa ndeshje për ekipin e drejtuar nga Bledar Sinella.

Tomori

Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport ditën e djeshme, sulmuesi me eksperiencë ka treguar dëshirën e tij për të kontribuar sërish për skuadrën beratase. Ai kërkon të ndihmojë Tomorin drejt objektivit madhor, ngjitjen në Superiore në sezonin që përkon me 100-vjetorin e themelimit të klubit.

DEKLARATA – “Sezoni i kaluar me Tomorin ishte vërtet një eksperiencë më shumë në karrierën time dhe nuk dua ta fsheh, por e përjetuam me emocione të forta deri në fund. Më ka ardhur vërtet keq që nuk mundëm të realizonim objektivin. Personalisht kalova një sezon të mirë, duke shënuar 9 gola, edhe pse nuk i luajta të gjitha ndeshjet për shkak të një dëmtimi. Ecuria pozitive dhe ambientimi i shpejtë me skuadrën ka ndikuar që të jem akoma më i vendosur për të qëndruar edhe në sezonin e ardhshëm në Berat.

Mesa di, është sezoni që përkon me 100-vjetorin e klubit dhe ky fakt më motivon akoma më shumë që të jem i vlefshëm për të ndihmuar Tomorin të rikthehet pas 9 vitesh në Superiore”, deklaron fillimisht për gazetën 30-vjeçari lushnjar, që dikur ka spikatur në Kategorinë Superiore si pjesë e Teutës.

I pyetur për bisedimet me drejtuesit e klubit beratas në lidhje me rinovimin e kontratës, ai u shpreh: “Kemi negociuar me drejtuesit e klubit për kushtet e kontratës. Besoj se mes palëve ka shumë komunikim të sinqertë dhe mezi po presim që të bashkohemi me skuadrën javën e ardhshme. Sezoni i ri do të ketë më shumë adrenalinë, sepse jam i sigurt që do të ketë atmosferë dhe synime të mëdha. Grupi i sezonit të kaluar, së bashku me ndonjë përforcim, them se do të jetë shumë premtues. Suksesi është i garantuar, pasi dhe tifozëria beratase meriton Superioren, pavarësisht se gara do të jetë e fortë dhe e ashpër”, përfundoi sulmuesi.

EDI SPAHIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"