Te Tomori bëjnë prova me golat, Oshafi: Koha të shpërblehemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2021 | 16:39

Te Tomori bëjnë prova me golat, Oshafi: Koha të shpërblehemi

Në Berat po punohet për finalizimin. Pepa-Oshafi janë zhbllokuar dhe ky shihet si një ogur i mirë, megjithatë tani është koha për vazhdimësi. Lojtarët kanë shënuar në Kupë e kampionat përballë Lushnjës në të dyja rastet, por stafi teknik pret që të mos ndalet ritmi.

Oshafi Tomori

Nesër luajnë me Vorën dhe misioni mbetet fitorja, ndaj Klevis Dalipi është ndalur gjatë te loja ofensive. Bashkë me sulmuesit kryesorë, jashtë vëmendjes nuk janë lënë mesfushorët që duhet të ndihmojnë në ndërtimin e aksioneve dhe, pse jo, hera-herës të rrezikojnë me goditje standarde. Pas fitores së parë në kampionat, të gjithë ndihen të çliruar dhe për këtë janë shtuar provat para porte.

Në radhët e beratasve ka futbollistë me aftësi të mira shënuese si Manellari, Barjamaj, Zefi, Kasmollari, Ziaj, Çaço, Shaqe apo edhe ndonjë tjetër, ndaj ata janë munduar që të perfeksionojnë shënjestrën. Aldrit Oshafi beson te pikët në kryeqytet, por edhe golat.

Gjatë një bisede me “Panorama Sport”, 22-vjeçari thotë: “Për ndeshjen e radhës ndaj Vorës po punojmë që të zbatojmë sa më drejt dhe saktë detyrat e ngarkuara nga trajneri. Loja e bukur që zhvillojmë duhet dhe meriton të shpërblehet. Nëse ia dalim, atëherë edhe rezultatet do të vijnë. Ne punojmë si skuadër dhe goli do të duhet të vijë si produkt i lojës, pak rëndësi ka se kush finalizon”.

EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"