Te Teuta i heqin shiritin e kapitenit, Tefik Osmani thuajse i Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2019 | 21:41

Te Teuta i heqin shiritin e kapitenit, Tefik Osmani thuajse i Tiranës

Tefik Osmanit i hiqet shiriti i kapitenit, duke i hapur rrugën kalimit të tij te Tirana menjëherë pas ndeshjeve të Europës. Në prag të nisjes zyrtare të sezonit të ri, Teuta ka bërë edhe “gradimin” e kapitenit.

tefik osmani

Renato Arapi do të ketë në krah shiritin e kapitenit për sezonin e ri dhe rolin e liderit në fushën e lojës. Diçka e tillë përflitej prej ditësh dhe duket që ndaj Ventspilsit, do të konkretizohet ky vendim i klubit të Teutës. Shiritin një vit më parë e ka mbajtur Tefik Osmani dhe vendimi për t’ia hequr atë duket si një hap nga klubi që paralajmëron lëvizje pas Kupave të Europës.

Osmani është lakuar si një nga emrat që mund të ndërrojë edhe skuadër në përfundim të Kupave të Europës dhe konfirmimi për një divorc të mundshëm mund të nisë me këtë lëvizje të klubit durrsak. Osmani mësohet se ka firmosur një parakontratë me Tiranën dhe ai në fund të sfidave evropiane do të luajë me bardheblutë sezonin e ri futbollistik.

Osmani-Karabeci

Lojtari ka luajtur dy sezone te barddheblutë gjatë viteve 2009-2011, pas aventurave me Elbasanin, Partizanin, Teutën, Vllazninë e Skënderbeun në kampionatin shqiptar. Mbrojtësi në të gjitha skuadrat ka qenë titullar i padiskutueshëm në fushën e lojës, duke u aktivizuar shumicën e ndeshjeve, siç ka bërë edhe sezonin e fundit në Kategorinë Superiore me Teutën.

STËRVITJA – Tirana është duke mbyllur edhe lëvizjet e fundit në merkato. Kështu, pritet zyrtarizimi i Ismael Dungës, Tefik Osmanit, dhe rinovimet e Ilion Likës e Majkëll Ngosë, operacione të cilat do të bëhen brenda ditës së hënë, edhe pse janë mbyllur si çështje.

Një pikëpyetje më vete është edhe çështja e Andi Lilës. Tani bardheblutë duhet të gjejnë një portier, i cili akoma nuk është zgjedhur, shpresojnë afrimin e një tjetër mbrojtësi apo sulmuesi. Deri të hënën priten zhvillime te bardheblutë. Më 8 korrik, pra sot, do të shihet se cilët janë lojtarët e Tiranës në sezonin e ri.

Në fillim është grumbullimi i ekipit që do të bëhet në “Skënder Halili” dhe më pas do të ketë punë të rëndë në fazën përgatitore. Është zgjedhur që faza stërvitore të zhvillohet në Ohër. Skuadra bardheblu do të qëndrojë nga data 8 deri më 15 korrik në Tiranë dhe pas kësaj date, ekipi do të zhvendoset në Ohër.

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"