Te Teuta duan Kupën dhe titullin, presidenca “hap thesin”. Zbulohet premio për dy trofetë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2021 | 8:15

Te Teuta duan Kupën dhe titullin, presidenca “hap thesin”. Zbulohet premio për dy trofetë

Teuta e ka mbyllur fazën e tretë e vetme në krye me 49 pikë, dy më shumë se Partizani dhe Vllaznia që e ndjekin nga pas. Gjithashtu, durrsakët janë pretendentë edhe për Kupën, pasi janë vetëm 180 minuta larg fitimit të këtij trofeu.

teuta

Pozicioni aktual nuk mund të konsiderohet si rastësi për durrsakët, pasi që në verë është investuar për objektivat madhorë. Për të motivuar ekipin mësohet se drejtuesit kanë vendosur premio për lojtarët për fitimin e dy trofeve. Për fitimin e titullit kampion, presidenca e Teutës ka akorduar një premio prej 100 mijë eurosh për skuadrën.

Gjithashtu, ekipit i është premtuar se në rast të fitimit të Kupës, shpërblimi që akordon FSHF-ja për këtë kompeticion do t’i shpërndahet skuadrës. Pra bëhet fjalë për një shumë prej 50 milionë lekësh të vjetër. Këtë iniciativë të drejtuesve të presidencës së Teutës për shpërblimet për trofetë e ka konfirmuar edhe kapiteni i skuadrës, Renato Arapi.

“Është folur për një shumë prej 100 mijë eurosh për ekipin, në rast se fitojmë titullin kampion. Edhe shpërblimi që përfitohet nëse fitohet Kupa, do t’u kalohet futbollistëve, me sa jemi në dijeni. Por, nuk duhet menduar tani. Kemi edhe 9 ndeshje për të luajtur në kampionat dhe gjatë këtyre ndeshjeve mund të ketë ndryshime, se një rezultat jo i mirë bën të zbresësh menjëherë në vend të dytë a të tretë. Ndaj duhet vlerësuar maksimalisht çdo ndeshje”, u shpreh kapiteni Arapi për “Super- Sport”.

Arapi

Në lidhje me ecurinë e skuadrës, si dhe betejën me ri- valët për titullin kampion, Renato Arapi u shpreh: “Fundi i kampionatit na ka kapur në formë të mirë. Të gjithë lojtarët janë në formë dhe është rritur shumë besimi. Lojtarët përpara po japin edhe më shumë e po na ndihmon që të fitojmë ndeshjet më lehtë. Ne kemi lojtarë me eksperiencë që kanë fituar trofe si Karabeci, Todorovski, Vila, Daja apo Plaku. Janë lojtarë me eksperiencën e duhur për kampionatin. Lufta për titull? Nëse do t’i druhesha, do t’i druhesha Laçit dhe Partizanit”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"