“Te Skënderbeu prej Dajës”, Imami: Ia kisha borxh që te… Dinamo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2020 | 12:14

“Te Skënderbeu prej Dajës”, Imami: Ia kisha borxh që te… Dinamo

Vetëm pak ditë pasi është zyrtarizuar si futbollist i Skënderbeut, Eni Imami bën deklaratën e tij të parë si bardhekuq. I ndodhur në Durrës ku ka filluar stërvitjen nën drejtimin e Ilir Dajës, ish-mbrojtësi i Tiranës thekson se ndryshimi i trajnerëve te këta të fundit bëri që të ndryshonte ambient. Tani e shikon Skënderbeun si vendin ideal për të hedhur hapin e madh në karrierë.

eni imami

Si ndihet Eni Imami si futbollist i Skënderbeut? 

Kam vetëm pak ditë që jam bashkuar me ekipin dhe të them të drejtën, ndihem mirë. Ambienti më pëlqen, po ashtu edhe harmonia që ka në ekip, mbi të gjitha kushtet. Kam filluar të përshtatem pak e nga pak dhe besoj se shumë shpejt do të bëhem një me ekipin.

Pse zgjodhët Skënderbeun, kur kishit edhe oferta të tjera?

Është e vërtetë që disa ekipe interesoheshin për mua dhe dua t’i falënderoj. Por, kur kam parë në telefonin tim emrin e Ilir Dajës, e kam pasur të pamundur të refuzoj Skënderbeun, për të mos thënë më pas edhe ofertën e presidentit Ardian Takaj për të qenë në Korçë.

imami

Pra, ju bindi Ilir Daja?

Le të themi se ia kisha borxh profesor Ilirit që në kohën kur ai ishte drejtor teknik tek akademia e Dinamos kur isha një futbollist i ri. Është kujdesur shumë për mua dhe në njëfarë mënyre me ardhjen time këtu, dua t’ia shpërblej gjithçka ka bërë.

Vini në një nga momentet më të dobëta të Skënderbeut, mos keni gabuar?

Skënderbeu mbetet Skënderbeu, pavarësisht situatës në të cilën ndodhet. Është ekipi që i ka dhënë tonin kampionatit shqiptar në dekadën e fundit. Realisht kam luajtur me Dinamon, Tiranën dhe Kukësin, por më mungonte pikërisht Skënderbeu. Është një ekip i madh dhe jam i lumtur që jam këtu.

Largimi nga Tirana ka lënë shenjë tek Imami?

E kam shprehur edhe më herët, se nuk e kisha menduar këtë rrjedhë të tillë ngjarjesh. Një muaj më parë, nuk do ta kisha çuar ndër mend. Megjithatë, futbolli i tillë është i paparashikueshëm. Besoj se kam bërë zgjedhjen e duhur që jam bashkuar me një ekip si Skënderbeu.

Daja-Skenderbeu

Si ju duket ekipi dhe çfarë ju ka thënë trajneri Daja?

Është një ekip që ka cilësi dhe mund të bëjë mjaft mirë. Ka lojtarë të rinj në përbërje, por që mbartin cilësi. Të shpresojmë që gjithçka të ecë më së miri. Nga ana e tij, Ilir Daja është treguar i sinqertë në takimin e parë, por përtej problemeve, më ka thënë se ne duhet të tregojmë forcën tonë në fushë. Për të tjerat, është klubi ai që mendon.

Sa larg mund të shkojë Skënderbeu, duke parë rivalitetin e kampionatit?

Nuk dua të bëj deklarata të tipit “do dalim kampion” për t’i bërë qejfin presidentit apo edhe tifozëve. Ne duhet të punojmë me kokën ulur, të tregojmë ndeshje pas ndeshje se çfarë dimë të bëjmë. Javë pas jave, do të jemi në gjendje të kuptojmë se deri ku mund të shkojë ky ekip dhe çfarë mund të bëjmë më shumë.

Llazi Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"