Te Skënderbeu janë të sigurt, edhe po i dënoi UEFA do të marrin pjesë në Champions

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2018 | 22:52

Te Skënderbeu janë të sigurt, edhe po i dënoi UEFA do të marrin pjesë në Champions

Skënderbeu është në valën e nxehtë për përgjigjen në lidhje me vendimin që pritet të dalë nga seancat dëgjimore në Komisionin e Etikës dhe Disiplinës në lidhje me procesin hetimor të dyshimit për përfshirjen në trukimin e ndeshjeve.

Skenderbeu

Pavarësisht se u kuptua qartë edhe nga njoftimi për shtyp se Skënderbeu nuk ka shumë shpresë te vendimi që do të japë UEFA, duket se korçarët këtë vit të paktën e kanë të sigurt pjesëmarrjen në Champions Ligë. Kjo të paktën është ideja që qarkullon në mendjen e drejtuesve bardhekuq.

Burime të sigurta të gazetës “Panorama Sport”, pranë presidentit Ardjan Takaj kanë bërë me dije se duke parë që një çështje e tillë ka shumë mundësi të zgjasë në kohë. Cilido të jetë vendimi përfundimtar, edhe në rast dënimi, të paktën korçarët këtë vit duket se do të jenë normalisht në Champions Ligë si fitues të titullit, duke prishur kështu ëndrrat e rivalëve.

Skenderbeu-Jang Bojs

Në një situatë të tillë, ka qenë vetë presidenti Ardjan Taka që duket se ka dhënë lajmin e “mirë” për këtë çështje. Kjo lidhet me faktin se cilido të jetë vendimi si në Komisionin e Etikës ashtu edhe në Apel, Skënderbeu është i vendosur që ta çojë këtë çështje për ankimim në KAS, pranë Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv dhe nëse nuk e gjen pafajësinë as në këtë shkallë, si mundësi e fundit mbetet Gjykata Supreme Federale në Zvicër.

Pra, praktikisht një çështje e tillë pritet që të zgjasë për gati një vit derisa të dalë vendimi final. Dhe për rrjedhojë bardhekuqtë mund të luajnë edhe këtë sezon në Europë. Kjo të paktën është ajo që pretendojnë zyrtarët e Skënderbeut në lidhje me këtë çështje. Vetëm se koha do të tregojë se si qëndron e vërteta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"