Të sigurtë drejt Superiores, ndryshime në shtëpinë e Kastriotit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 11, 2020 | 23:52

Të sigurtë drejt Superiores, ndryshime në shtëpinë e Kastriotit

Pas një dëmtimi që e mbajti disa javë jashtë fushës së blertë, mesfushori Xhulio Mehmeti i është rikthyer stërvitjes me Kastriotin. Ai po kryen vetëm vrapime i diferencuar aktualisht dhe është pranë riaftësimit, por për ndeshjen me Korabin nuk do të jetë gati.

Beselidhja Kastrioti 1-0

Ndeshja e fundit e Mehmetit ishte ajo me Burrelin, më 8 shkurt 2020, kur ai u dëmtua dhe u zëvendësua. Pas një muaji pushim, mesfushori ka nisur stërvitjen individuale dhe mbetet për t’u parë kur 26-vjeçari do të jetë gati 100% për trajnerin Ramazan Ndreu. Krutanët janë fokusuar prej ditësh në përgatitjet për transfertën me Korabin, një nga më të vështirat në fazën e “play off”-it. Kastrioti ka një diferencë komode prej 9 pikësh me vendin e dytë, megjithatë në Peshkopi synohet fitorja e radhës. Me përjashtim të Mehmetit, gjithë pjesa tjetër e lojtarëve janë të gatshëm për trajnerin Ndreu.

STADIUMI – Punimet në stadiumin “Kastrioti” kanë vijuar me ritme të kënaqshme. Është punuar deri tani për lirimin e hapësirave dhe pjesën e tribunës së re. Një pjesë e mirë e shkallëve të vjetra janë hequr, por edhe dhomat e zhveshjes dhe sektori i medies janë “sheshuar” dhe gjithçka po bëhet gati për të nisur nga e para. Tribuna e re do të jetë disa herë më e madhe se ajo që kishte ky stadium. Ditët e ardhshme do të nisë puna në të gjitha pjesët e stadiumit dhe megjithëse nuk ka një afat se kur duhet të përfundojnë punimet, ka gjasa që me nisjen e sezonit të ardhshëm, të jetë gati.

BUJAR BALLIU 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"