Të shtunën ndeshja e së vërtetës, Vllazninë e pret një kalendar “ferri”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2020 | 10:37

Të shtunën ndeshja e së vërtetës, Vllazninë e pret një kalendar “ferri”

Vllaznia po u jep dorën e fundit përgatitjeve për takimin ndaj Tiranës. Klasikja e futbollit shqiptar e gjen trajnerin Tomas Brdariç me një skuadër të plotë. I vetmi lojtar që ndien ende shqetësime është mesfushori-sulmues Arlind Kalaja. Megjithatë, pritet që ai sot të kthehet në stërvitje.

vllaznia-tirana

Madje, tekniku Brdariç e la Kalanë dhe pesë futbollistë të formacionit bazë jashtë axhendës së miqësores me Drenicën. Arsyeja ishte që të ruhej energji nga grupi për sfidën e së shtunës me bardheblutë. Në testin me skuadrën kosovare stafi teknik nuk aktivizoi portierin Zogoviç, mbrojtësin Adili, mesfushorin Krymi dhe dyshen e sulmit Dilaver-Da Silva. Që të gjithë këta lojtarë gëzojnë një formë të mirë dhe kanë një gjendje optimale para ndeshjes së radhës me Tiranën.

VLLAZNIA, TRI JAVË “FERRI”

Vllazninë e presin tri javë “ferri”, duket filluar që nga kjo fundjavë. Të shtunën kuqeblutë presin në fushën e tyre Tiranën, kampionen në fuqi. Një përballje që, mbi të gjitha, është një test i matjes së forcës reale të kuqebluve. Për më tepër, Vllaznia pas afro tri vitesh do të kërkojë fitoren e parë ndaj kryeqytetasve. Më pas shkodranët do të udhëtojnë drejt Durrësit, ku do të ndeshen me fituesit në fuqi të Kupës së Shqipërisë.

Kuqeblutë përherë e kanë pasur të vështirë në Durrës, ku rezultatet pozitive këto vitet e fundit kanë qenë me pikatore. Treshja e takimeve të vështira do të mbyllet me përballjen me Kukësin në Shkodër, një tjetër kundërshtar që i ka dominuar në vitet e fundit. Megjithatë, drejtuesit e ekipit janë fokusuar tërësisht te takimi me Tiranën, ku do t’i shkarkojnë të gjitha bateritë.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"