“Të shkojmë në finale dhe mbajmë Kavanin në skuadër”, Solskjaer nuk i zë besë Romës: Barça e pësoi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2021 | 16:38

“Të shkojmë në finale dhe mbajmë Kavanin në skuadër”, Solskjaer nuk i zë besë Romës: Barça e pësoi…

Fitorja 6-2 në ndeshjen e vajtjes në “Old Traf ford” duket se nuk e mban të qetë Ole Gunar Solskjaerin. Trajneri i Mançester Junajtidit nuk i zë besë Romës, ndonëse këta të fundit për të kaluar duhet të fitojnë 4-0 e më thellë, me norvegjezin që sjell në mendje përmbysjen e madhe të italianëve ndaj Barcelonës 3 vite më parë:

solskjaer

“Kundrejt gjysmëfinales së parë do të bëjmë disa zëvendësime, por kjo nuk do të thotë se e ndiejmë veten finalistë. Roma është një skuadër të cilës nuk i zë besë, pasi pikërisht në momentet që është dukur e vdekur ka bërë çmendurira, si tri vite më parë duke përmbysur Barcelonën dhe duke fituar 3-0 dhe duke i eliminuar ata, pikërisht në ‘Olimpiko’. Prandaj, duhet të hyjmë të kthjellët në fushë dhe të jemi të përqendruar. Të shënojmë sa më shpejt një gol që ndoshta do t’i jepte fund çdo shprese të rivalëve tanë”.

KALENDAR I NGJESHUR – Junajtidi, i cili pa ndeshjen me Liverpulin që të shtyhej prej protestës së tifozëve, që pushtuan fushën përpara sfidës, do t’i duhet të mbajnë frymën në këto javë të fundit në Premier Ligë, por edhe në Ligën e Europës. “Kemi një staf fantastik këtu, të cilët studiojnë gjithçka në detaje, nga ushqimi i personalizuar, deri te veset e çdo lojtari që kam në dispoziocion, – vazhdon Solskjaer. – Testojmë çdo ditë edhe formën fizike të futbollistëve, të cilët vazhdojnë që të luajnë mbi 50 ndeshje në sezon.

Ky kalendar sidomos sivjet ka qenë mbytës, por duhet të durojmë edhe pak, në këtë fund sezoni. Protesta e tifozëve para Liverpulit? Fola me pronarët dhe ata më kërkuan falje si mua, ashtu dhe tifozerisë. Gjithsesi, detyra ime është që të përqendrohem te ndeshja me Romën dhe tek ato të radhës.

Me pronarët kam pasur një marrëdhënie gjithmonë të mirë, por në të njëjtën kohë mbështes edhe tifozët të cilët kanë të drejtë që të protestojnë, gjithmonë brenda limiteve që lejon ligji, – shprehet trajneri i Junajtidit, që në fund shfaq edhe optimizëm për ta mbajtur Edinson Kavanin në skuadër, edhe për sezonin e ardhshëm. – Edi është mjaft i rëndësishëm për ne.

Në ditët e fundit kemi pasur një ballafaqim shumë pozitiv sipas meje, pasi pas dy golave ndaj Romës pashë në sytë e tij një dëshirë tjetër dhe brenda meje jam i sigurt se nëse shkojmë në finale do të arrijmë që ta bindim dhe ta mbajmë me ne Kavanin edhe për sezonin e ardhshëm”.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"