“Të shkatërruar emocionalisht, kemi dy ditë që flasim”, Cikalleshi tregon atmosferën te Kombëtarja: Mos i vini nën presion të rinjtë, duan kohë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2022 | 18:02

“Të shkatërruar emocionalisht, kemi dy ditë që flasim”, Cikalleshi tregon atmosferën te Kombëtarja: Mos i vini nën presion të rinjtë, duan kohë

Sokol Cikalleshi është shfaqur para trajnerit Edi Reja në konferencën e sotme për shtyp, teksa ka treguar para mediave situatën që po përjeton grupi kuqezi pas humbjes me Izraelin.

cikalleshi

“Është një situatë jo e mirë për momentin. Ishte një ndeshje që duhej ta fitonim se vetëm tre pikët na mbanin në lojë. Patjetër presioni ishte mbi ne, edhe Izraeli kishte presionin e tij,. Mendoj se tani kur mbaron ndeshja kemi shumë për të korrigjuar dhe ajo çka lojtarët dhe stafi kemi bërë është që jemi ulur e kemi analizuar që po vazhdojnë të njëjtat gabime individuale që po na ndikojnë. Po na ndodhin neve dhe fatkeqësisht jo ekipit kundërshtar. Se futbolli është lojë gabimesh e në ndonjë moment mund të përfitosh. Kohët e fundit nuk kemi përfituar dhe kemi qenë ne ata që kemi gabuar. Kohët e fundit kjo na ndodhur, jo vetëm te ndeshja me Izraelin.

Nuk kemi fituar asnjë ndeshje? Fitoren urojmë ta bëjmë nesër se ende nuk ka përfunduar, kemi ndeshje që për mendimin tim është e rëndësishme pasi mund ta përfundojmë në vendin e dytë. Me trajnerin Reja duke e krahasuar me De Biazin, kemi një futboll më ndryshe. Atëherë ishim më difensiv, atëherë pyetej që pse nuk shënojmë shumë. Tani kemi pasur skemën më ofensive, kemi qenë më shumë para portës. Kemi arritur të shënojmë por futbolli nuk është vetëm te pjesa e të mbrojturit mirë e sulmit mirë, por është diçka komplekse e duhet të funksionojnë të gjithë repartet. Përveç anës taktike, është edhe analiza që duhët të bëjmë ne lojtarët, duhet të ketë përqendrim më të madh, të kemi mbështetje dhe krijojmë harmoninë që na bën të shkojmë para. Jemi ekip i vogël, jo Anglia e Franca, që vetëm me dëshirë e pasion për fanellën mund të arrijmë gjëra të mëdha.

Çdo ndeshje është e vështirë, pavarësisht moralit. Situata nuk është e mirë, e pranojmë këtë gjë, nuk mund të themi asgjë në lidhje me situatën se ajo ndeshje ishte të tentonim e donim të ishim në vendin e parë. Kjo tani nuk është e mundur. Por është një ndeshje që na ndihmon të shkojmë në vendin e dytë, jemi në një pozicion që edhe kritikat kanë vërshuar ndaj nesh. Por kjo është kombëtare, është krenari për ne dhe gjithë shqiptarët. Nganjëherë me të drejtë mund të kritikohemi, por kemi nevojë edhe për mbështetje, duhet të jemi bashkë se kështu mund të bëjmë gjëra të mira. Kërkojmë mbështetje se shpejt vijnë ndeshjet e Europianit. Kishim mundësi të shkonim në play-off e nuk ia dolëm, por tani janë eliminatoret para. Vetëm bashkë mund të arrijmë rezultate.

Lojtarët sa mbaroi ndeshja ishin të shkatërruar emocionalisht. Kemi folur që atëherë e vazhdojmë të flasim ende. E gjitha fillon te pjesa e gabimeve që nuk po na ndahen. Nuk duhet të drejtojmë gishtin te një lojtar se jemi të gjithë bashkë këtu, jemi një familje e madhe, do të vazhdomë të jemi kështu. Gabimet ndodhin në futboll por të mos na ndodhin vetëm ne dhe të mos vazhdojnë të ndodhin. Kjo është gjitha, është ajo për të cilën flasim dje dhe sot, ku qëndron dhe pse po ndodhin këto gabime. Detajet e vogla bëjnë diferencën dhe nganjëherë duhet t’i shohim me më shumë rëndësi dhe urojmë të mbarojnë sa më shpejt. Kualitetet janë, janë të rinj me shumë cilësi. Unë kam 10 vite gati në kombëtare, kanë ardhur të rinj por ata duan kohën e vet, të mos i fusim në presion se futbolli është një vazhdimësi e jo një ditë. Ne pjesa e vjetër nuk jemi të shumtë, po presim shumë nga të rinjtë që po na vijnë dhe të jemi pak më dashamirës në këtë aspekt duke qenë në mbështetje të gjithë. Unë dhe trajneri nuk mund të kërkojmë shumë në këtë moment por kombëtarja është kombëtare, është krenari dhe duhet të vazhdojmë ta mbështesim. Ne do të bëjmë më të mirën dhe ju siguroj që nga presidenti, te lojtarët e trajneri, mundohemi të bëjmë më të mirën e do të vazhdojmë ta bëjmë. Qoftë Cikalleshi, qoftë dikush tjetër, sepse kjo është krenaria jonë. Kombëtarja Cikalleshit i ka dhënë shumë, i ka dhënë të gjithëve shumë e do të vazhdojmë të bëjmë maksimumin. Futbolli është me ulje e ngritje por do të tentojmë të dalim nga kjo situatë.

E thashë që situata nuk është shumë e mirë. Por kjo është një ndeshje që kemi mundësi për ta fituar dhe rregullojmë ato pak gjëra që janë detaje dhe ato bëjnë diferencën. T’ia lëmë fushës, nuk dihet të flasim shumë para ndeshjes. Para dy ditësh duhej medoemos për të fituar, kjo është për moral më shumë e për të treguar që mund të ringrihemi më të fortë e vazhdojmë më para që të bëjmë atë që duan të gjithë shqiptarët që kombëtarja të jetë aty ku e meriton”, deklaroi Cikalleshi para mediave.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"