“Te Pogradeci paguhesh mirë, asnjë nga lojtarët nuk largohet”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 10, 2019 | 22:23

“Te Pogradeci paguhesh mirë, asnjë nga lojtarët nuk largohet”

Pas 5 ditësh, Pogradeci do të zbresë në fushë. Është vendosur tashmë që më datë 15 korrik të gjithë futbollistët të jenë të pranishëm në zyrat e klubit për të pasur një takim me drejtuesit dhe më pas, nën drejtimin e Festim Fetollarit, do të zhvillojnë edhe seancën e parë.

festim fetollari

“Gjatë këtyre ditëve, që mund të thuhen se ishim pushim, jam takuar pothuajse me të gjithë futbollistët. Ata po përgatiten për fillimin e fazës përgatitore dhe më vjen mirë që janë shumë të gatshëm për të startuar nga puna. Dua të bëj me dije se deri në këto momente nuk kam asnjë sinjal ose indice nga ndonjë lojtar që kërkon të largohet”, u shpreh fillimisht trajneri për “Panorama Sport”, duke konfirmuar se grupi do të ruhet.

Pjesa më e madhe e lojtarëve që mbyllën sezonin e kaluar ka kontratë dhe ky fakt i jep qetësi klubit. Ka edhe nga ata që u ka skaduar kontrata, por tekniku qartëson se pjesa dërrmuese kanë shfaqur gatishmërinë për të rinovuar.

“Edhe futbollistët që u ka përfunduar kontrata, janë të gatshëm të nënshkruajnë. Ata duan që të qëndrojnë me ekipin edhe për sezonin në vazhdim. Dhe kjo ka një arsye. Gjithçka lidhet me seriozitetin që ka klubi ynë. Që të gjithë janë paguar dhe duhet thënë që rrogat janë jo vetëm të sigurta, por edhe të mira. Në kësi kushtesh, të gjithë janë të qetë dhe të gjithë duan të rrinë”, përfundoi numri një i liqenorëve, Festim Fetollari.

FIRMAT – Në ditën e parë të stërvitjes, pritet që të hidhen edhe firmat e lojtarëve që klubi i quan “të blinduar” në këtë merkato vere. Sikundër është bërë me dije kanë arritur akordin parimor me emra, si: Baçi, Branica dhe Shkëmbi. Historinë e kontratës e kanë mbyllur Çekiçi dhe Shyti, ndërsa të tjerët priten më 15 korrik në Pogradec. Kështu, liqenorët fillojnë fazën shumë të qetë dhe si asnjëherë më parë me një organikë pothuajse të plotë. Kjo tregon edhe një herë se sa seriozisht e kanë marrë objektivin për t’u rikthyer në elitë në fund të këtij sezoni.

Romeo Xinxifi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"