Të pasurit e Kategorisë së Parë, Tirana vlen më shumë se gjysma e Grupit B

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2017 | 16:53

Të pasurit e Kategorisë së Parë, Tirana vlen më shumë se gjysma e Grupit B

Tirana është milioner ja e Kategorisë së Parë. Bardheblutë kanë pasuruar inferioren jo vetëm me trofe (51 të tillë, që kjo ligë kurrë nuk i ka parë), por edhe në financa. Kryeqytetasit janë zyrtarisht skuadra që vlen më shumë mes 20 ekipeve të kësaj lige, por në veçanti e grupin B, ku militojnë këtë sezon.

Tirana

Diferencat janë realisht të frikshme dhe për të kuptuar këtë, mjafton të shohësh të dhënat që ofron “transfermark.com”, faqe e specializuar për përllogaritjen e vlerës së kartonëve të futbollistëve. I gjithë ekipi që drejton Ze Maria për këtë kampionat vlen 3.15 milionë euro, gati sa 60 për qind e të gjithë ekipeve të grupit.

Tirana

Nëntë skuadrat e tjera kapin në total shumën e 5.255 milionë euro, pra më pak se gjysma e vlerës së Tiranës. Lojtari më i kushtueshëm sipas këtij uebsajti është Erjon Hoxhallari, kartoni i të cilit vetëm 325 mijë euro, i cili është më i kushtueshëm se dy ekipe të këtij grupi, konkretisht Naftëtari (125 mijë euro) dhe Iliria (275 mijë euro).

RIVALËT DHE BUXHETI

Bylisi është rivali më i rrezikshëm i bardhebluve. Ballshiotët janë të vetmit që po i ndjekin hap pas hapi jo vetëm me pikavarazh, por edhe në kosto. Grupi i drejtuar prej Bledar Devollit është i dyti ekip më i kushtueshëm, konkretisht 1.13 milionë euro. Dhe këto janë vetëm shifrat për vlerën e lojtarëve që kanë në organikë, pasi superioriteti i “mbretëreshës” së trofeve lidhet edhe me buxhetin mujor.

Vlerat

Nëse në Kategorinë Superiore vetëm pagat mujore te kryeqytetasit shkonin në 70 milionë lekë (të vjetër) në muaj, në të Parën shifrat nuk kanë pësuar ndonjë ndryshim. Drejtuesit e 24 herë kampionëve të vendit shpenzojnë gati 10 milionë më pak, pra 60 milionë lekë (të vjetër) përafërsisht.

Dhe, rroga të tilla Kategoria e Parë as që i mendon dhe aq më pak t’i japë, sidomos kur dihet që pjesa dërrmuese e klubeve janë në menaxhimin e bashkive. Pagat minimale për lojtarët e 9 ekipeve të grupit B variojnë nga 300 mijë lekë të vjetër dhe vetëm për ndonjë element të veçantë mund të marrë 1 milion lekë të vjetër. Pra, me këto shifra, kryeqytetasit kanë “prishur” standardin e klubeve të inferiores.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"