Te Partizani nuk kursehen titullarët/ Vaksina “frenon” Zhuniorin, ja plani i Dajës për Kupën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2021 | 12:24

Te Partizani nuk kursehen titullarët/ Vaksina “frenon” Zhuniorin, ja plani i Dajës për Kupën

Partizani zhvilloi dje stërvitjen e fundit përpara ndeshjes së kthimit ndaj Besëlidhjes dhe i dha fund përgatitjeve disaditore të këtij dueli, i vlefshëm për fazën e 1/8-ave të Kupës.

PARTIZANI BESELIDHJA

Seanca ishte programuar në orën 13:30. Shumica e lojtarëve ishin aty rreth 40 minuta përpara. Të parët që mbërritën ishin të pasionuarit pas tekboll: Murataj, Mala, Zhunior dhe Kote, e më pas pjesa tjetër.

Në orën 13:33 mbërriti në fushë trajneri Ilir Daja, teksa pak çaste para tij kishte ardhur zëvendësi, Artim Pollozhani. Stërvitja nisi menjëherë me sprinte dhe ushtrime me intensitet të lartë. Më tej, Daja organizoi një minindeshje, duke e ndarë skuadrën në dy grupe.

Gjatë zhvillimeve të lojës pati edhe një moment frike, kur Tedi Cara u përplas me ndenjëset e pankinave dhe pësoi gërvishtje në këmbë, teksa lojtarët u mblodhën rreth tij. Mjekët i fashuan plagën dhe ai u kthye të luajë normalisht me pjesën tjetër të ekipit.

Pas minindeshjes, Daja u kushtoi rëndësi të veçantë goditjeve standarde. Fillimisht u praktikuan skemat mbrojtëse e më pas ato sulmuese. Në anën tjetër të fushës kishte një risi.

Kapiteni Alban Hoxha, i cili prej kohësh nuk stërvitej me duar për shkak të problemeve me njërin gisht, provoi të bëjë disa pritje dhe la të kuptohet se dëmtimi po lihet pas. Sa për pjesën tjetër të të dëmtuarve, i vetmi që u stërvit i veçuar ishte Griseld Lika, ndërsa mesfushori Maguet nuk ishte i pranishëm.

Herald Marku dhe Tedi Cara, që kanë pasur probleme gjatë javëve të fundit, ishin pjesë e integruar e stërvitjes dhe punuan me të njëjtin ritëm si të tjerët. Me siguri ata pritet të kenë minuta ndaj Besëlidhjes e më pas ndaj Laçit në Superiore. Albion Marku, Vokli Laroshi dhe Arinaldo Rrapaj nuk ishin të pranishëm për shkak të angazhimit me Shpresat.

Në pjesën e fundit të stërvitjes lojtarët provuan gjuajtje nga distanca përballë portierit Teqja. Në një moment kur ata po dështonin radhazi, ishte zëvendëstrajneri Pollozhani, i cili lëshoi një “raketë” drejt e në trekëndësh. Pas kësaj, lojtarët nisën të shënojnë njëri pas tjetrit.

Edhe trajneri Ilir Daja provoi të gjuajë, por nga pika e bardhë, duke e mposhtur Teqjen, që nuk u sforcua shumë përballë profesorit. Në orën 14:58 trajneri la fushën dhe iu drejtua dhomave të zhveshjes. Direkt pas tij u larguan lojtarët dhe pjesa tjetër e stafit teknik.

PLANI – Ilir Daja pritet të luajë me formacionin më të mirë sot ndaj Besëlidhjes në stadiumin “Nexhip Trungu” të Cërrikut, duke nisur nga ora 13:30. Aldo Teqja do të jetë në portë, teksa para tij do të jenë tri qendrat: Saliou, Belica dhe Sota. Mesfusha me shumë mundësi do të jetë me pesë lojtarë.

Në krahun e majtë do të vendoset Emiliano Musta, teksa në të djathtin, në mungesë të Albion Markut, do të luajë maqedonasi Filip Gligorov.

Në qendër të mesfushës pritet të pozicionohen treshja Murataj, Kaçe dhe Herald Marku. Sulmi do të jetë me dy, pa një qendërsulmues tipik. Filipoviç, titullar i zakonshëm në Kupë, do e nisë nga minuta e parë dhe në krah do të ketë Malën, i natyralizuar në sulm.

Zhunior pritet ta nisë nga stoli. Ditët e fundit braziliani ka bërë dozën e dytë të vaksinës së COVID-19 dhe simptomat e saj kanë bërë që ai të mos jetë gati fizikisht.

PAR

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"