“Të ndërtuar për Superioren”, kapiteni Canka: E kemi të ngulitur në kokë, jemi pretendentë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 26, 2022 | 23:55

“Të ndërtuar për Superioren”, kapiteni Canka: E kemi të ngulitur në kokë, jemi pretendentë

Lushnja e di se çfarë do. Që në momentin që morën Klodian Duron trajner, qëllimi ishte vetëm një: të ndërtojnë një ekip për Superioren. Verdhejeshilët kanë hedhur baza të forta për të realizuar këtë mision, ndonëse e dinë që i pret “malorja”. E megjithatë, lojtarët nuk tremben. Këtë e thotë Mikel Canka, gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”.

Canka

Kapiteni paralajmëron se ata e kanë të ngulitur në mendje se çfarë duan dhe kjo do t’i japë rrugë realizmit të objektivit. “Lushnja e këtij edicioni është krijuar për të qenë mes më të mirave. E dimë që misioni nuk do të jetë i lehtë dhe kjo kuptohet qartazi vetëm nga përbërja e Kategorisë së Parë.

Kampionati është i gjatë dhe rrugës ndodhin edhe të papritura, por unë di të them diçka. Lojtarët duhet të kenë ta ngulitur në kokë se do të jemi pretendentët kryesorë për t’u ngjitur në Superiore. Na mungon elita dhe këtë etje duhet ta shfrytëzojmë. Gjendja e ekipit duket shumë e mirë. Stërvitemi me intensitet në fushën e Plugut për të qenë të gatshëm në startin e kampionatit”, tha fillimisht 35- vjeçari.

MERKATO

Vlerëson afrimet e bërë nga drejtuesit, por në veçanti sulmuesi përmend dy emra: “Mendoj se eksperienca e Brunild Pepës dhe Ledion Ruços do të jenë një plus për ekipin verdhejeshil. Dihen vlerat e tyre, kanë vite që luajnë dhe kanë përvojën e duhur për të ndihmuar. Është bërë një kompleks merkatoje cilësore”.

SULMI

Canka rigjen Pepën në ofensivë dhe kaq i mjafton që të ta thotë me garanci se golat nuk do të mungojnë. “Me Brunildin do të jemi një dyshe e fortë në sulm. E njohim mirë lojën e njëri-tjetrit dhe kemi shënuar shumë gola bashkë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë edhe këtë sezon. Kemi ende për të dhënë. Kjo është pak, por e sigurt”, përfundoi kapiteni i Lushnjës.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"