“Të mos hyjmë me kokën e ulur në fushë”, Mensah: Nuk i trembemi Tiranës, s’dalim pa pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2021 | 16:15

“Të mos hyjmë me kokën e ulur në fushë”, Mensah: Nuk i trembemi Tiranës, s’dalim pa pikë

Situata në të cilën ndodhen nuk është aspak e favorshme për të qenë të qetë pasi ekipi duhet të bëjë shumëçka për të shpëtuar nga vorbulla e mbijetesës. Përpara janë edhe tre malore që duhet të kalohen me sukses dhe këtë e dinë mjaft mirë lojtarët bardhekuq. Sulmuesi ganez, Mensah kërkon të çojë peshë ekipin duke bërë të ditur se ka ardhur momenti që skuadra të reagojë dhe të tregojë vlerat e veta. Ganezi nuk i druhet Tiranës dhe thekson se me impenjimin maksimal dhe me pak fat në krahun e tyre mund të dalin me pikë nga kjo transfertë e vështirë.

alfred mensah

“Situata në të cilën ndodhemi në renditje nuk është e qetë dhe këtë e dimë mjaft mirë. Jemi në një pikë që duhet të grumbullojmë sa më shumë rezultate pozitive, sa më shumë pikë. Por besoj se ka ardhur koha të bëjmë kthesën. Nuk mund të vazhdojmë kështu me humbje, pasi ky pozicion na shqetëson jo pak. Kemi të gjitha mundësitë për të bërë mirë pasi ekipi ka cilësi. Prandaj të mos druhemi nga kjo transfertë me Tiranën. Është një ndeshje që duhet ta luajmë fillimisht dhe nëse e interpretojmë si duhet kemi mundësi të marrim edhe pikë. Duhet që të bëjmë maksimumin dhe të kemi edhe pak fatin në krahun tonë. Jam i bindur se ia dalim”, theksoi Mensah për gazetën.

STËRVITJA – Skënderbeu fillon të ndjejë dorën e Migen Memellit në stërvitjet e para të zhvilluara nga ish sulmuesi. Kur situata duket e vështirë më shumë psikologjikisht sesa fizikisht në Korçë, është kjo pikërisht ajo që trajneri ka dashur të rregullojë që në ditët e para. Edhe në seancën e djeshme trajneri është ndalur më shumë në ngritjen e moralit të lojtarëve të vet në mënyrë që të jenë sa më të qetë në ndeshjen e radhës që do të luhet të shtunën në kryeqytet përballë Tiranës.

MOTIVIMI – Gjatë seancës së djeshme, Memelli ka folur hapur me ekipin duke kërkuar nga ata të hyjnë me kokën lart në fushë dhe të shmangin ndjesinë e inferioritetit që nuk duhet të ndjehet në këtë ekip. “Na pret përpara një ndeshje shumë e vështirë dhe mjaft impenjative. Do të luajmë ndaj Tiranës dhe normalisht që duhet të bëjmë më të mirën tonë për të qenë të bindur se mund t’ia dalim. Në të tilla ndeshje, kryesore është që të mos hyjmë me kokën e ulur në fushë. Nëse bëjmë kështu kemi mbaruar dhe nuk mund të tentojmë rezultat.

mensah

Do të duhet të hyjmë me kokën lart ashtu si i ka hije kësaj fanelle, pasi cilësitë nuk na mungojnë për të bërë një gjë të tillë. Mos e shohim tani kalendarin dhe renditjen, por të luajmë sikur çdo ndeshje që na vjen është një finale që duhet fituar me çdo kusht. Besimi të bën të ecësh përpara, duhet të kemi besim tek vetja”, ishin fillimisht fjalët e trajnerit të ri të Skënderbeut.

Më pas ish-sulmuesi është ndalur edhe tek disa këshilla taktike para se të fillonte stërvitjen e ekipit në fushë. “Në fushë duhet të jemi afër njëri-tjetrit. Jo vetëm afër për të sakrifikuar dhe t’i japim mbështetje por edhe fizikisht pranë. Nuk dua ekip të gjatë në fushë por sa më të shkurtër në mënyrë që pikat e referimit të jenë të shumta. Nga ana tjetër kujdesi maksimal i takon fazës defensive. Dublimet duhet t’i bëjmë në kohë dhe të jemi të saktë. Kjo na ka dëmtuar shumë këto javë, pasaktësia në mbrojtje në gjithë fazën”, kanë qenë veç të tjerash fjalët e Memellit drejtuar ekipit.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"