“Të luajmë për këtë fanellë që ka bërë histori”, Daja lojtarëve: Mos e ulni kokën, ta dërgojmë Skënderbeun atje ku e meriton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2020 | 13:08

“Të luajmë për këtë fanellë që ka bërë histori”, Daja lojtarëve: Mos e ulni kokën, ta dërgojmë Skënderbeun atje ku e meriton

Pas eliminimit nga Kupa, Skënderbeu është i gjithi i përqendruar te kampionati dhe sezoni në vijim. Me Kupën humbën një mundësi të artë për të kapur Europën dhe tani korçarët të vetmen mënyrë për të qenë në zonën “euro” kanë kampionatin. Në garë për një nga tri vendet e para të renditjes, Skënderbeu do duhet që të djersijë shumë për ta bërë realitet objektivin e vendosur nga klubi. E vetmja mundësi në këtë pikë është rimëkëmbja e ekipit përmes kampionatit.iLIR DAJA

Për këtë trajneri Ilir Daja ka kërkuar nga skuadra e tij mobilizim maksimal për ndeshjet e mbetura të sezonit. Duke nisur nga kjo e fundjavës me Tiranën numri një i pankinës korçare ka kërkuar përqendrim maksimal dhe përgjegjshmëri nga të tijtë. Në analizën e zhvilluar me ekipin ditën e djeshme para seancës stërvitore, Daja ka qenë i prerë në kërkesat e tij. Duke parë ekipin në një gjendje jo fort të mirë psikologjike prej eliminimit nga Kupa dhe dëmtimeve të njëpasnjëshme nga arbitrat, trajneri kryeqytetas ka kërkuar të qetësojë lojtarët dhe ta përqendrojë të gjithë vëmendjen te ndeshja me Tiranën.

Për këtë arsye tonet kanë qenë më tepër urdhëruese nga ana e trajnerit. “Nuk duhet që ta ulni kokën. Një eliminim i tillë mund t’i ndodhë çdo ekipi, pasi specifika e Kupës është e veçantë. Ajo që mua më bën të besoj shumë te forca jonë është grinta dhe dëshira që ju keni kur kërkoni të arrini sukses. Pikërisht kjo duhet të jetë pikënisja për ndeshjet e mbetura në kampionat. Jemi në vendin e katërt në klasifikim dhe gjithçka është ende e hapur për verdiket përfundimtare.Ilir Daja

Kampionati është i vështirë dhe kalendari delikat. Por kjo nuk do të thotë se duhet të dorëzohemi. Le të vazhdojmë të gjithë të bashkuar të luajmë për këtë fanellë që i ka mbushur me lavdi të gjithë dhe ka bërë histori për futbollin shqiptar. Nuk ka rëndësi nëse e keni përjetuar apo e keni dëgjuar nga të tjerët. Le të jemi ne ata që ta çojmë sërish Skënderbeun atje ku i takon. Të bindur se gjërat do të jenë shumë më ndryshe në vijim. Kemi një ndeshje delikate me Tiranën dhe shumë ndeshje të tjera më pas. Të tregojmë forcën tonë në këtë takim. Jemi të aftë të bëjmë shumë mirë në fushë përballë çdo ekipi. Të ngrihemi psikologjikisht, vetëm kjo mjafton. Më pas gjithçka është në rregull”, u tha ndër të tjera trajneri bardhekuq lojtarëve.

Ll.Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"