“Të largojmë dallaveraxhinjtë, na dëmtuan shumë”, Safet Gjici shpërthen në akuza

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2022 | 23:05

“Të largojmë dallaveraxhinjtë, na dëmtuan shumë”, Safet Gjici shpërthen në akuza

Safet Gjici di të jetë gjith një i drejtpërdrejtë dhe t’i vendosë pikat mbi “i” që në fillim. Kështu ka bërë edhe në cilësinë e kryetarit të bashkisë së Kukësit dhe si president nderi i klubit, teksa gjatë prezantimit të trajnerit Skënder Gega, ka theksuar se është koha për të risjellë titullin në Kukës.

SAFET GJICI

Gjici nuk ngurroi të bënte akuzat ndaj atyre që ai i konsideronte si matrapazë, të cilët kanë punuar dhe kanë përfituar në kurriz të klubit. Megjithatë, edhe pse foli shumë ashpër, kryebashkiaku nuk përmendi emra konkretë.

TRAJNERI

Fillimisht nga salla e konferencave për shtyp në “Kukës Arena”, Gjici prezantoi trajnerin Gega, duke treguar edhe arsyen e rikthimit të tij në krye të verilindorëve.

“Gega ka qenë trajner i Kukësit dhe për arsye që dihen e ndërpreu marrëveshjen me ne. Ka qenë kërkesë edhe e klubit, që me trajnerët që janë në treg, më i përshtatshëm ishte Skënder Gega. Unë besoj shumë te sedra e tij. E dini që është malësor dhe na e di mentalitetin dhe sedrën.

Ai është një trajner që ka mbi shpatulla titullin kampion dhe shumë eksperiencë. Klubi ka bërë përzgjedhje të mirë, punë kemi shumë përpara, është ndërmarrje shumë e vështirë, por tani kemi një stadium me standarde.

Ndaj, i uroj suksese Gegës në këtë punë të vështirë. Klubi i ka lënë hapësirat e nevojshme bashkë me stafin e ri teknik, ku do t’i përzgjedhë vetë trajneri ndihmësit dhe do të ketë ndryshime rrënjësore në shumë struktura, për të pasur një menaxhim të klubit”, është shprehur fillimisht Gjici.

TITULLI

Kryebashkiaku i Kukësit nënvizoi se kushti për ekipin në sezonin e ri do të jetë patjetër titulli kampion. “Tani ne do të fillojmë një kapitull të ri. Si kryetar bashkie dua titullin kampion. Është një dëshirë dhe kërkesë imja, pasi i kemi kushtet dhe me financa më të shëndosha që të arrijmë këtë sukses, edhe pse e kemi marrë më herët.

E duam edhe një titull të dytë në Kukës, edhe për shkak të këtij investimi madhështor. Do të luftojmë të bëjmë një ekip konkurrues, të kalojmë turin e parë në Konferencë Ligë, që është detyrim. Për herë të parë në Europa Ligë kaluam deri në turin e katërt dhe e kemi eksperiencën që të ecim lart.

Ky do të jetë viti i kuksianëve për të sjellë kampionatin e dytë. Bashkia ka vendosur në dispozicion një infrastrukturë moderne dhe tani është koha për të ardhur ky trofe”, theksoi presidenti i nderit të klubit verilindor, teksa zyrtarisht administrator i Kukësit është vëllai i tij, Lavdrim Gjici.

AKUZAT

Në vijim të fjalës së tij, Gjici shpërtheu në akuza ndaj atyre që i cilëson si dallaveraxhinj. “Këto dy vitet e fundit ka çaluar menaxhimi dhe ndoshta për faktin që kam qenë më larg klubit, sepse nuk është njëlloj sikur të jesh çdo ditë aty. Ndaj, duhet të këmbëngulë fort që të vëmë struktura të mira menaxhuese siç kemi pasur sukses në këto 10 vite. Shpresoj të ketë një ndryshim rrënjësor tani me Gegën dhe stafin.

Që të vijë titulli në Kukës duhet shumë punë dhe suksesin duhet ta fillojmë që tani. Më pas do të bëjmë merkato të fuqishme, t’i heqim dallaveraxhinjtë nga klubi. Kemi pasur shumë të tillë, mosmirënjohës dhe i kemi pastruar, por sërish ka pasur njerëz që kanë dëmtuar rëndë klubin.

Gegës i kam kërkuar që me këta të mos ketë më asnjë lloj bashkëpunimi. Është e patolerueshme që klubi bën gjithë atë investim dhe të mos kapësh Europën. Investimi ka qenë shumë i fuqishëm. Kjo tregon se është bërë keq puna nga të gjithë. Nëse një trajner për shkaqe të ndryshme ikën nga ekipi i Kukësit, klubi ka vendosur që bashkë me trajnerin ikën i gjithë stafi”, deklaroi kryebashkiaku Gjici.

INFRASTRUKTURA

Në fund, Gjici u ndal te kompleksi sportiv që po ndërtohet pranë stadiumit për akademinë, por edhe tek afrimi i kuksianëve në ekipin e parë.

“Nuk ka pasur vonesa, ka procedurat e veta. Do shtresat, nënshtresat, kanalizimet etj. Ne e kemi thënë që puna të mos nxitohet, por të jetë cilësore. Kemi bërë investime goxha, për të rregulluar shumë gjëra. Besoj se brenda qershorit mbaron gjithçka. Them se kompleksi sportiv, është i mbaruar në fundin e muajit tjetër dhe do të jetë funksional për të gjitha aktivitetet që na ka kërkuar FSHFja, me ndeshjet e moshave etj.

Ka disa gjëra që nuk kanë mbaruar te stadiumi, për shkak të temperaturave, por besoj se për punë javësh mbaron gjithçka, edhe tabela, edhe kontrolli kompjuterik i biletave. Klubi me aksionerët ka biseduar për të bërë një akademi të mirëfilltë, për të marrë talente nga të gjitha zonat përreth.

Skuadrat zinxhir funksionojnë, sepse janë thirrur lojtarë në ekipin e parë, të cilët Gega do t’i shohë vetë për t’i afruar te Kukësi. Kemi Peposhin me Dacin që do të kthehen te ne. Të paktën katër apo pesë kuksianë kemi kërkuar që të jenë pjesë e ekipit të parë”, përfundoi Safet Gjici.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"