Të kuqtë duan Bakajn, Demi do takojë sot lojtarin. Babai: Mund të kthehet në Ukrainë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 5, 2014 | 12:00

Të kuqtë duan Bakajn, Demi do takojë sot lojtarin. Babai: Mund të kthehet në Ukrainë

BakajTrazirat që kanë përfshirë Ukrainën, kanë sjellë pezullimin e aktiviteteve futbollistike në këtë vend, ku te Çernomorets Odesa luan edhe ish-lojtari i Partizanit, Elis Bakaj. Klubi ku luan Bakaj ka lënë të lirë pesë futbollistë huaj, por ka zëra se edhe Elis Bakaj mund të zgjedhë një klub të ri, nëse në Ukrainë nuk vijon aktiviteti, pasi ata konsiderohen lojtarë të lirë. Menjëherë sapo është hapur lajmi, tifozët e kuq janë vënë në lëvizje duke marrë një nismë në “Facebook”: “Elis Bakaj, kthehu te Partizani!” Për momentin kjo është vetëm një nismë dhe dëshirë e tifozëve, pasi nga klubi nuk ka ndonjë qëndrim zyrtar. Ndërkaq mësohet se dje është lënë një takim mes futbollistit dhe presidentit të Partizanit, Gaz Demi. Ky i fundit nuk dëshiron të humbë rastin dhe sulmuesi të shkojë në ndonjë klub tjetër nëse kthehet në Shqipëri, ndaj edhe është treguar i gatshëm për të biseduar drejtpërdrejtë me lojtarin dhe për ta kthyer në shtëpinë e tij. I pyetur rreth fatit të Elis Bakajt, babai i futbollistit u shpreh se nuk ka asgjë për të thënë, pasi vetë situata nuk është e qartë. “Di që futbolli është ndërprerë në Ukrainë dhe Elisi mund të vijë në Shqipëri për ca ditë. Por nuk mund të flitet kaq shpejt për të ardhmen e tij, pasi ka gjasa që futbolli në Ukrainë t’i kthehet shumë shpejt normalitetit dhe Elisi të vijojë sërish atje. Pra, është herët për të dalë në përfundime, në Ukrainë, në Shqipëri apo në ndonjë vend tjetër”,- kështu u shpreh dje babai i Elis Bakajt. Grupi “Ultras Guerrils” mbrëmë ka bërë një deklaratë në faqen e tyre, ku përveç kërkesës dhe thirrjes që kanë ndaj beniaminit të tyre, i kërkojnë edhe klubit që të bëjë një sakrificë në rikthimin e Bakajt te Partizani. Motoja e guerilsave është: “Elis Bakaj, kthehu në shtëpi!” Ata i shkruajnë lojtarit se si produkt i familjes së kuqe, gjithmonë janë krenuar me sukseset e tij, si dhe e kanë vlerësuar për faktin se u largua ndër të fundit nga Partizani. Gjithashtu ata e vlerësojnë Bakajn se kurrë nuk iu bashkua rivalëve të përjetshëm, Tiranës. Prandaj ata e presin të vijë te Partizani e të dalin kampionë.

Të kuqtë nisin përgatitjet, por me shumë mungesa
Duke filluar nga e marta, të kuqtë nën drejtimin e stafit teknik kanë nisur përgatitjet për transfertën e Durrësit. Dje ka nisur java stërvitore për përballjen me Teutën, por trajneri Sampaio nuk e ka pasur të plotë grupin. Tre futbollistë janë të grumbulluar nga Shpresa, Rrahmani, Prençi dhe Musta dhe të enjten pritet t’i bashkohen ekipit. Edhe Demiri me Nexhipin nuk kanë qenë dje të pranishëm, pasi ndodheshin në Maqedoni për plotësim dokumentacioni, por sot do të bashkohen me grupin. Dje ka munguar në stërvitje edhe mesfushori Renato Husmeri, për të cilin u tha se është me virozë gripale. Mbrojtësi Liridon Ahmeti edhe këtë javë e ka nisur duke u përgatitur i diferencuar, pasi është në fazë rikuperimi të dëmtimit. Përpara fillimit të seancës së parë stërvitore për këtë javë, është kryer edhe një analizë e shkurtër e ndeshjes me Skënderbeun, analizë e cila ka kaluar normalisht pa ngritje tonesh. Trajneri Sampaio dhe stafi teknik dje organizuan një seancë të ngarkuar, e cila u mbajt në Yrshek. Për ndeshjen me Teutën vetëm mbrojtësi Feliks Udoh është i pezulluar, në këtë mënyrë nigeriani nuk luan as për Partizanin B.

“Demat” marrin 15 pikë nga 30 të mundshme
Në javën e fundit të fazës së parë, Partizani bën kthesën e rezultateve, duke fituar 3-0 ndaj Teutës. Të tre golat e këtij takimi i shënoi Julian Malo. Këtë fundjavë të dyja ekipet i pret përballja e fazës së dytë, ku në përfundim të kësaj ndeshjeje përcaktohet edhe kalendari i fazës së tretë. Nga përballja e fazës së parë tek ajo e së shtunës, të kuqtë kanë zhvilluar 10 ndeshje, të cilat janë shoqëruar me uljengritje. Nga 30 pikë të mundshme, Partizani ka bërë të mundur që të fitojnë vetëm 15 ose gjysmën e pikëve që ishin në dispozicion. Fitorja me Teutën u pasua nga dy fitore të tjera, por më pas të kuqtë nuk arritën që të jenë konstantë, duke lëshuar shumë dhe humbja në derbin e 7 shkurtit solli dorëheqjen e trajnerit Hasan Lika.

Nexhipi-Demiri, në Maqedoni për dokumentacionin
Merkatoja e janarit bëri që të rritet ndjeshëm numri i të huajve te Partizani. Por të kuqtë kanë një mundësi që ta ulin këtë numër pa bërë largime, por duke pajisur me pasaportë shqiptare disa futbollistë shqiptarë të ardhur nga Maqedonia. Bëhet fjalë pikërisht për pajisjen me pasaportë shqiptare të Mevlan Muratit, Ertan Demirit dhe Nderim Nexhipit. Kjo praktikë ka nisur prej kohësh, ku i pari që është marrë me plotësimin e proceduarve ka qenë mbrojtësi 19- vjeçar, Mevlan Murati. Dje, Partizani ka nisur përgatitjet e para për ndeshjen e fundit të fazës së dytë, ku i pret transferta e Durrësit. Në këtë seancë të parë kanë munguar dyshja Demiri-Nexhipi. Mësohet se pas ndeshjes me Skënderbeun të dy mesfushorët kanë udhëtuar drejt Maqedonisë, pasi kanë shkuar për të marrë disa dokumente, që u duhen për plotësimin e dosjes për pajisjen me pasaportë shqiptare. Pa dyshim, fati i tre shqiptarëve të Maqedonisë që luajnë me Partizanin, Demiri, Murati dhe Nexhipi, është në dorë të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, nga i cili pritet të shqyrtohen kërkesat e bëra nga futbollistët e kuq që të pajisen me pasaportë shqiptare. Të tre futbollistët konsiderohen si lojtarët bazë për Partizanin, por për momentin rrallë mund të ndodhë që të luajnë njëkohësisht, pasi numri i të huajve është i lartë te “demat”.
ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"