Te Kukësi janë në rrezik emrat e mëdhenj, Milinkoviç ka gati rrotacionin për Kupën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2017 | 17:08

Te Kukësi janë në rrezik emrat e mëdhenj, Milinkoviç ka gati rrotacionin për Kupën

Merkato –Rregulli i artë i një merkatoje cilësore është shit, pastaj bli. Duket se edhe te Kukësi e kanë mësuar shumë mirë këtë gjë. Pavarësisht punës që po bëhet për afrimin e lojtarëve, ka një plan konkret për sa u përket largimeve.

Drejtuesit kanë në duart e tyre një listë me lojtarët që nuk kanë bindur dhe mund t’i japin fund aventurës me Kukësin. Në listë ka edhe emra si sulmuesi Alijev dhe mbrojtësi Alla, ndërsa pjesa tjetër e këtyre lojtarëve janë Shtubina, Peposhi dhe Memini. Pavarësisht faktit se janë lojtarë cilësorë, atë nuk kanë gjetur shumë hapësira për të shprehur vlerat e tyre.

kukesi

Ankimimi – Drejtuesit e Kukësit po përgatisin ankesën për dy arbitrat Kridens Meta dhe Ermal Barushi. Kampi i verilindorëve mendon se është dëmtuar nga dyshja e arbitrave në ndeshjen ndaj Laçit. Ata kanë vënë në shënjestër Ermal Barushin, i cili, sipas Kukësit, ka ofenduar Ethemin dhe Allën, por ka urdhëruar kryesorin Meta që të nxirrte kartonin e verdhë për këtë të fundit.

Në këtë mënyrë, ai plotësoi numrin e kartonëve të verdhë dhe nuk do të luajë në sfidën e radhës kundër Skënderbeut. Sipas drejtuesve të klubit, kjo gjë është bërë me dashje dhe ky incident ka qenë i provokuar nga anësori Barushi. Klubi po përpilon shkresën dhe denoncimin për në FSHF.

Kupa – Fitorja ndaj Laçit është arkivuar dhe skuadra e Kukësit po përgatit ndeshjen e ardhshme ndaj Erzenit në Kupën e Shqipërisë. Ditën e djeshme, rreth orës 14:00, kur do të zhvillohet ndeshja e Kupës të nesërmen, është zhvilluar seanca stërvitore.

Pritet që trajneri Milinkoviç të bëjë rrotacion për këtë takim, pasi vëmendja është te sfida e ardhshme në kampionat kundër Skënderbeut. Mirëpo, Gjici kërkon që ekipi i tij të luftojë në të dy frontet dhe të marrë patjetër rezultat pozitiv edhe në Kupë ndaj Erzenit. Mbetet për t’u parë strategjia që do të ndjekë klubi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"