“Të jesh trajneri i njërës prej përfaqësueseve shqiptare është një ëndërr”, flet Cungu: Do t’i japim mundësinë çdo lojtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2021 | 16:48

“Të jesh trajneri i njërës prej përfaqësueseve shqiptare është një ëndërr”, flet Cungu: Do t’i japim mundësinë çdo lojtari

Armando Cungu bëri debutimin e tij ditën e sotme në pankinën e Kombëtares U-19 teksa zhvilluan një ndeshje miqësore me Partizanin B në kompleksin “Internacional” në Pezë-Helmes të Tiranës. Në këtë sfidë Partizani B ka triumfuar me rezultatin 2-0 dhe ky takim u ndoq dhe nga trajnerët e moshave të Kombëtareve, si Alban Bushi, Ervin Bulku, Armand Dama dhe Skauti i Ekipeve të Kombëtareve si Xhemal Mustendanagiç. Pas këtij takimi trajneri Cungu është prononcuar në mikrofonat e kanalit zyrtar të Federatës Shqiptare të Futbollit teksa u shpreh optimist për të ardhmen e ekipeve Kombëtare dhe për cilësinë e lojtarëve të rinj:

CUNGU

Kombëtarja U-19 – “Unë besoj se detyra e trajnerit të ekipit Kombëtar U-19 është një post që nderon çdo trajner shqiptar. Mendoj se është një arritje kulminante në karrierën e një trajneri. Të jesh trajneri i njërës prej përfaqësueseve shqiptare është një ëndërr për çdo trajner, kështu që gjej rastin edhe të falënderoj drejtuesit e FSHF-së, të cilët më besuan në këtë post. Sigurisht që kënaqësia është e madhe t’i shërbej edhe unë sadopak elementeve të ekipeve kombëtare shqiptare për të bërë një Kombëtare të madhe edhe më të mirë, edhe më të suksesshme, sepse realisht nuk mungojnë edhe djemtë, edhe talentet në futbollin shqiptar.”

Grumbullimet – “Grumbullimet janë gjithmonë të vlefshme, bëhen për një arsye sepse ne jemi në fazën e vëzhgimit të lojtarëve dhe këto grumbullime për këtë arsye bëhen, për të parë, për t’u dhënë mundësi lojtarëve dhe për t’i përfshirë në databazë. Gjithashtu, për t’u munduar që të bëjmë më të mirën për këto djem dhe për këtë brez. Jam i bindur që do të vazhdojmë dhe do të kemi edhe grumbullime të tjera në mënyrë që t’i japim mundësi çdo lojtari, jo vetëm atyre që luajnë jashtë, por do të jenë të vëzhguar me shumë detaje dhe më shumë vëmendje edhe futbollistët që luajnë në kampionatin shqiptar e që janë të grup-moshës U-19 në mënyrë që të nxjerrim elementet e duhura dhe të bëjmë një ekip kompetitiv, që t’i vlejnë nesër normalisht edhe zinxhirit të Kombëtares së madhe.”

Grup moshat e lojtarëve – “Mendoj se puna e ekipeve zinxhir të Kombëtareve duhet të jetë e fokusuar më shumë te përzgjedhja e elementeve të duhur dhe dhënia e koncepteve të futbollit në mënyrën e duhur në funksion të mbështetjes së Kombëtares A. Gjithsesi, kjo nuk zbeh absolutisht edhe dëshirën dhe objektivat për të qenë kompetitiv sa i përket rezultateve në kompeticione të ndryshme. Por kjo situatë pandemie ka bllokuar natyrshëm edhe futbollin, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë globin e si rezultat i kësaj është për të ardhur keq që një pjesë e datëlindjeve të ndryshme si ato të 2002-it pothuajse shkojnë një vit pa luajtur një kompeticion, gjë që nuk u shërben as djemve e as stafit teknik. Sidoqoftë në këto kushte duhet të dimë të përshtatemi dhe pikërisht këto grumbullime janë për këto arsye, për të pasur mundësi në përzgjedhje e për t’i dhënë mundësi lojtarëve për të dhënë maksimumin e tyre për këtë fanellë.”, përfundoi Armando Cungu.

Vlen të theksohet se ditën e nesërme Kombëtarja U-19 do të zhvillojë një tjetër miqësore me ekipin Kombëtar U-18 në kompleksin “Tropikal” me fillim nga ora 10:30.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"