Të huajt e Apolonisë dhe precedenti i flamurit, ngjarja me portierin serb që bëri bujë 4 vite më parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2019 | 23:59

Të huajt e Apolonisë dhe precedenti i flamurit, ngjarja me portierin serb që bëri bujë 4 vite më parë

Apolonia është një skuadër tradite, ku kanë luajtur jo pak futbollistë që më pas do të linin gjurmë në kampionatet shqiptare, madje edhe në Kombëtare: Ansi Agolli (2003), Odise Roshi (2006-2009), Alban Hoxha (2009), Myrto Uzuni (2014-2017) etj.

aPOLONIA1368732747_n

Në Fier kanë drejtuar edhe emra të njohur të trajningut si Zihni Gjinali, Vangjel Capo, Faruk Sejdini, Shpëtim Duro, Hasan Lika, Stavri Nica, Eqerem Memushi, Ernest Gjoka e deri tek aktuali, Artan Mërgjyshi. Vetëm tre trajnerë të huaj ka pasur Apolonia në historinë e vet: rumunin Silviu Dumitresku (2007- 2008), Esad Karishik (2008-2009) dhe Rade Miliç (2019).

Apolonia-gezon-me-trajnerin

LOJTARËT E HUAJ – Shumë të huaj janë promovuar tek Apolonia gjatë 20 viteve të fundit. Januari Ziambo është ndër të parët, pastaj trajneri Karishik do të sillte nga tregu serbo-boshnjak lojtarë cilësorë, si: Mladen Bërkiç (ish-kapiten tek Apolonia 2008- 2010), Sead Haxhibuliç (2009), Semir Haxhibuliç, Edin Ferizoviç dhe Kenan Ragipoviç, Çarls Ofoje dhe Fernando da Silva e deri te Sodiq Atanda.

PRECEDENTI ME FLAMURIN – Trajneri Esad Karishik ishte njëherazi edhe ndër promovuesit e futbollistëve serboboshnjakë në Fier, trend që vazhdoi edhe pas largimit të tij. Gjithë lojtarët e ardhur nga Bosnja dhe Serbia fituan mikpritje, përkrahje dhe dashuri nga fierakët, madje Bërkiç dhe Sead Haxhibuliç u bënë idhuj të tifozërisë.

CAKOVICC

Më vonë erdhën në Fier Vilson Çakoviç, Xhorxhe Xhorxheviç, Marko Rajkoviç e deri te të fundit, Lazar Vladisavljeviç dhe Jordan Jovanoviç. Gjithsesi, në memorien e publikut fierak dhe shqiptar ka mbetur një incident i ndodhur më 22 mars 2015 në Fier, në ndeshjen Apolonia-Tirana. Luhej java e 28-të e Superligës, me pak njerëz në stadium, rreth 800, pasi ajo datë përkonte edhe me festën e Sulltan Nevruzit.

Në kronikën e ndeshjes, momenti kulmor regjistrohet në minutën e 22-të, kur bardheblutë fitojnë një penallti dhe Dimo i Apolonisë ndëshkohet me karton të kuq nga gjyqtari Enea Jorgji. Episodi i veçantë vjen pikërisht në çastin kur portieri i Apolonisë, serbi Çakoviç, bëhet gati të përballet me penalltinë e Morinës.

Por në atë moment, një tifoz i njohur për pikëpamjet e tij të theksuara kombëtare, me emrin Kristaq Ziu, i cili rikthehej në stadium pas gati 25 vjetëve, i shpëton kordonit të policisë dhe vendos një flamur shqiptar me mbishkrimin “Pa Kosovë e Çamëri, nuk ka Shqipëri” në zonën e portierit Çakoviç.

Ky i fundit, nën ethet e momentit të penalltisë, e largoi atë flamur, çka shkaktoi irritimin e gjithë tifozëve në “Loni Papuçiu”, që e kishin ende inatin me tetorin e 2014-ës, pa menduar fare që po i shkaktonin dëmin momental Apolonisë së tyre, teksa portieri Çakoviç ndodhej përballë një penalltie… Për të zbutur situatën, trajneri Artan Mërgjyshi e zëvendëson portierin serb me Endrit Çakon, por jo gjithçka u mbyll aty.

Për shkak të presionit nga tifozët, situata për portierin Çakoviç dhe mesfushorin Xhorxheviç precipitoi deri në pezullim pa afat nga klubi dhe ata u detyruan të kërkonin prishjen me marrëveshje të kontratës. Dhe kështu ndodhi, teksa mbeti pjesë e Apolonisë edhe pas këtij incidenti sulmuesi serb, Marko Rajkoviç.

DEKLARIME TË ASAJ KOHE – “Panorama Sport” ka qenë e para që ka përcjellë në kohë reale incidentin dhe deklarimet e protagonistëve, të cilat po i risjellim për lexuesin tonë. Ja çfarë deklaronin pas ndeshjes së 22 marsit 2015 për “Panorama Sport”: Vilson Çakoviç: “Pashë një person që u fut në fushë dhe duke vërejtur që askush nuk veproi, thjesht doja ta nxirrja nga fusha që të vazhdonte loja. Mund t’ju them me sinqeritet se isha i përqendruar te lojtari, pasi dhe në ndeshjen e Kupës prita një penallti kundër Tiranës dhe doja të isha i përqendruar në lojë.

Por fakti që policia u vonua që të hynte në fushë dhe të ndalonte tifozin, më bëri të reagoja. Pastaj nuk e kisha parë fare çfarë kishte në dorë, pasi deri në atë moment e kishte të mbledhur dhe nuk dukej. Nuk kam bërë asgjë të keqe në dijeninë time. Unë doja vetëm që të përqendrohesha te momenti i 11-metërshit. Kërkoj falje ndaj tifozëve nëse e kanë marrë për keq këtë veprim, por më duket pa kuptim, pasi reagimi im ishte ndaj një njeriu që po shkatërronte ndeshjen.

Kjo, pasi të gjithë lojtarët e Apolonisë u përqendruan te kjo ngjarje, jo te ndeshja. Zëvendësimi im nga trajneri? Po, vendimi i duhur në atë situatë”. Kristaq Ziu: “Nuk dua as serbë dhe as grekë në Shqipëri, dua vetëm shqiptarë”. Artan Mërgjyshi: “Lojtarët nuk kanë pse të merren me sendet që futen në fushë… Portieri veproi shumë gabim, aq më tepër që është portieri ynë. Veprimi i tij është i gabuar dhe i papranueshëm”.

E FUNDIT – “Panorama Sport” ka kontaktuar pasditen e së shtunës me Kristaq Ziun, protagonistin e asaj ngjarjeje, i cili na deklaroi: “Kisha gati 20 vjet që nuk shkelja në stadium, qysh në kohët e Apolonisë së lavdishme. M’u lut fort një miku im, zv.kryetar bashkie atë kohë, dhe më mori gati me detyrim. Kam qenë vetë futbollist dhe ia di emocionet këtij sporti.

Pas incidentit Serbi-Shqipëri në tetor 2014, nuk doja të shihja serbë me sy. E kam bërë me vetëdije atë veprim, sepse tek Apolonia dua të luajnë djemtë e Fierit, djemtë shqiptarë, por jo serbë apo grekë.

Nuk pendohem për atë që kam bërë, edhe pse pa dashje mund të kem dëmtuar skuadrën në ato momente”, thotë pas 4 vjetësh nga ajo ngjarje Kristaq Ziu, personi që vendosi flamurin shqiptar në zonën e portierit të Apolonisë, Vilson Çakoviç.

Bujar Rama – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"