“Të hedhim hapin e parë”, Luan Deliu, ish-lojtari kampion me Elbasanin: Të rinisë menjëherë stërvitja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 4, 2020 | 0:08

“Të hedhim hapin e parë”, Luan Deliu, ish-lojtari kampion me Elbasanin: Të rinisë menjëherë stërvitja

Jeta duhet të rinisë. Ka filluar të ringjallet grad ualisht me shumë sektorë të saj që po rihapen, por i tillë është edhe futbolli, është pjesë e jetës sonë dhe nuk mundet kurrsesi të bëjë përjashtim”. Kështu e nis prononcimin për “Panorama Sport” një nga futbollistët më të shquar të ekipit të Labinotit të dikurshëm, me të cilin u shpall kampion në vitin 1984, Luan Deliu.

ELBASANI

Aktualisht trajner te moshat, Deliu u bën thirrje institucioneve të mos e lënë mënjanë futbollin, duke kërkuar që të merret shembulli i vendeve të tjera europiane, që kanë pasur shumë pasoja më të rënda nga “COVID19” se Shqipëria, por po mendojnë hapjen graduale të tij. “Këtë periudhë jam munduar të shoh paksa edhe informacionet që na vijnë nga fqinji ynë, Italia, ku çdo ditë diskutohet për hapjen graduale të futbollit. Vetëm te ne është lënë mënjanë. Diskutojnë për t’u rihapur sektorët e tjerë dhe shumë mirë bëjnë, por për sportin dhe futbollin nuk kanë asnjë plan”, vijon më tej Deliu.

ZGJIDHJA – Ish-futbollisti kampion i Elbasanit jep edhe zgjidhjen që ai e mendon si më të mirën dhe që është më se e realizueshme. “Si fillim, jam i mendimit që të nisë hapja graduale dhe duke parë, duke bërë. Nuk po flas për nisjen e menjëhershme të ndeshjeve, por të rinisë stërvitja. Më pas, në një moment të dytë të flitet edhe për ndeshjet, nëse kushtet plotësohen dhe situata normalizohet. Besoj se të gjitha skuadrat e të rriturve aktualisht i kanë kushtet për t’u stërvitur konform masave për parandalimin e përhapjes së këtij virusi. Të rriturit kanë gjithashtu edhe ndërgjegjen e duhur.

DELIU

Pavarësisht se janë stërvitur në shtëpi, nuk e zëvendëson asgjë stërvitjen në fushë. Më pas nuk e shoh të pamundur që për çdo lojtar të bëhet një testim paraprak për këtë virus, ku nëse del pozitiv të izolohet dhe në të kundërt të vazhdojë me skuadrën. Pra, nisja e stërvitjes duhet të bëhet patjetër, sepse kushtet janë dhe më pas të nisë diskutimi për rinisjen e kampionatit. Duhet ta ndërmarrim këtë hap të parë”, thekson më tej Deliu.

Në fund, si trajner moshash, ai jep edhe mendimin e tij për këtë kategori. “Nëse ndërgjegjësimi te të rriturit është më i madh, te moshat është ndryshe. Prandaj, them që të shohim çfarë do të bëhet ekipet e para dhe më pas të mendohet edhe për më të vegjlit”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"