Të gjithë qajnë para Zotit, presidenti Duka e bëri për të… qarë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 6, 2018 | 21:53

Të gjithë qajnë para Zotit, presidenti Duka e bëri për të… qarë!

GËZIM SINEMATI

sinemati

Fëmijët mbajnë radhë në fund të vitit për të takuar Plakun e Vitit të Ri me ëndrrën për të marrë dhuratë lodrën e preferuar, kurse burrat e futbollit, presidentët e topit ndër shtete, kudo në botë, mbajnë radhë për të takuar Zotin e madh ngaqë “lodra e tyre” nuk është në thesin e Babagjyshit. Janë lodra që gëzojnë pak veta, aq bukur të kurdisura sa kur shumica e harbuar gjurmon topin, loja e shefave sillet për bukuri pas ligësisë së parasë.

Një lojë babëzie e makutërie, e mbushur me mëkate deri aty sa as nuk e ndien peshën e turpit mbi tokë, por guxon të ngjitet edhe në qiell për të bekuar pushtetin. Dhe cilët ishin në radhë? Presidenti i futbollit brazilian, presidenti i futbollit anglez dhe i fundit… presidenti i futbollit shqiptar.

Zoti pyet presidentin brazilian: “Përse je munduar deri këtu?”.

Braziliani ulet në gjunjë dhe lutet: “O Zot, dikur kemi qenë vendi më i lumtur në futboll, samba ishte kërcim jete edhe me top, por prej vitesh lavdia ka ikur dhe nuk po kthehet më…”.

Duka3

Zoti e dëgjon dhe ia pret shkurt: “Do prisni akoma disa vite, deri atëherë kur puna të jetë më e madhe se qejfi”. Braziliani ul kokën, qan dhe ikën.

I dyti shfaqet anglezi. Ulet në gjunjë dhe fillon: “Në Angli futbolli është si një vullkan, stadiumet gati po marrin zjarr nga llava popullore, në fushë loja ndizet më bukur se kudo, por, prapëseprapë, kemi vite që nuk fitojmë trofe”.

Zoti e dëgjon, qesh pak, dhe i thotë këto fjalë: “Ti nuk duhet të kishe ardhur sepse halli yt është i bukur. Trofeu më i madh në këtë lojë është argëtimi i tifozëve në stadium dhe i futbollistëve në fushë. Do prisni dhe pak…”. Anglezi uli kokën, pikat e lotit nuk i mbajti dot para se të mbyllte derën.

Kur hyn i treti, Zoti e pyet: “Po ti kush je?”. Shqiptari Armand Duka ia pret shkurt: “Unë jam Zoti i futbollit shqiptar. Stadiumet i kam boshatisur sepse ata nuk më meritojnë. Tifozët i kam bërë që ndeshjet t’i shohin më shumë nga shtëpia se sa nga shkallët e stadiumit. Golat historikë i bëj vetë, por gëzohen futbollistët në fushë, siç ndodhi kur shkuam në Europianin e fundit. Erdha te ju sepse populli dhe politikanët e vendit tim janë mosmirënjohës, duan të më largojnë para vitit 2026”.

Zoti u ul në gjunjë, qau me dënesë dhe iu lut presidentit shqiptar: “Dëgjova se kishe thënë kohët e fundit se ‘vetëm Zoti më largon nga froni’. Edhe unë jam i pafuqishëm të të ndihmoj ngaqë futbolli që bën ti nuk ka Zot, prandaj janë larguar edhe besimtarët nga stadiumet”. Pasi tha këto fjalë, tërhoqi derën dhe iku…

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"