Të gjithë në rresht për Armando Brojën, shtohen admiruesit në Premier Ligë për sulmuesin e Kombëtares

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2022 | 14:37

Të gjithë në rresht për Armando Brojën, shtohen admiruesit në Premier Ligë për sulmuesin e Kombëtares

Lids Junajtid, Everton dhe Uolverhempton. Janë tri klubet e fundit që i shtohen garës për të transferuar sulmuesin e Çelsit, Armando Broja, sipas “TEAMTalk”.

armando broja

Sulmuesi shqiptar, i cili po shkëlqen këtë sezon i huazuar te Sauthemptoni duke shënuar 7 gola (5 në Premier Ligë dhe 2 në Kupën e Ligës), është shndërruar në një prej emrave më të lakmuar të merkatos në Premier Ligë këtë muaj.

Pas Sauthemptonit që ka përgatitur një ofertë prej 30 milionë eurosh dhe Njukasëllit që e përmirëson atë me 10 milionë euro të tjera (40 milionë euro), edhe Uest Hemi ka nisur bisedimet me Çelsin për talentin 20-vjeçar.

Por ditën e djeshme dolën në skenë edhe tri klube të reja që interesohen për shërbimet e sulmuesit të Kombëtares shqiptare. Çelsi nuk e ka vendosur ende të ardhmen e lojtarit të akademisë dhe nuk ka ndër mend që të nxitohet me lojtarin që ka një kontratë deri në vitin 2026.

Vlerësimet e para të bluve të Londrës për kartonin e tyre nisën nga 25 milionë euro, por nëse Broja vazhdon të tregojë këtë formë, atëherë në fund të sezonit të gjithë duhet të ribëjnë llogaritë me një vlerë më të lartë kartoni.

Të gjashta klubet janë në kontakte me kampionët e Europës, por vullneti i drejtuesve në “Stamford Bridge” duket se nuk dëshiron ta shesë lojtarin në këtë sesion të merkatos dimërore, duke e bërë atë të përfundojë sezonin në klubin e tij aktual dhe më pas do të rivlerësojë se çfarë të bëjë në verë.

“Shenjtorët” janë favoritë për të siguruar shërbimet e 20-vjeçarit dhe pika e tyre më e fortë është vullneti i futbollistit dhe familja e tij, që e këshillojnë të qëndrojë në “St Mary’s”.

Trajneri i Çelsit, Tomas Tuhel, ka folur me superlativa për talentin shqiptar. Gjermani mendon se ende Broja ka nevojë që të rritet për të mbajtur peshën e sulmit të tij.

Kështu që, nuk përjashtohet që ai të mendojë ta lërë sulmuesin në huazim edhe për një sezon të dytë te Sauthemptoni. Por nëse drejtoresha Marina Granovskaia jep OK-in për ta shitur, atëherë një gjë është e sigurt:

Çelsi do të përfshijë edhe klauzolën e riblerjes në kontratë.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"