EKSKLUZIVE/ “Të gjithë me faj për Dinamon, Partizani favorit”, ish-sulmuesi Tiko: Skënderbeu ka hallet e veta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 28, 2022 | 21:48

EKSKLUZIVE/ “Të gjithë me faj për Dinamon, Partizani favorit”, ish-sulmuesi Tiko: Skënderbeu ka hallet e veta

Derbi i së premtes me Partizanin pritet pa ndonjë lloj emocioni të veçantë në kampin dinamovit, por thjesht si një nga 6 ndeshjet e mbetura të këtij kampionati, që duhen luajtur për të certifikuar rikthimin në Kategorinë e Parë. Keqardhja është e madhe për këtë rënie të shpejtë dhe më shumë akoma për ata që e kanë veshur fanellën e bluve.

Tiko Gole

Një prej tyre është Ligor Tiko, ish-sulmuesi që ka dalë kampion me Dinamon, por që krahas ekipit të vendlindjes, Skënderbeu, ka luajtur në Superiore edhe me Partizanin e Teutën. Në një prononcim për “Panorama Sport”, 42-vjeçari thekson se rasti i Dinamos së këtij sezoni është vërtet për t’u habitur. Sipas tij, fajtorë janë të gjithë për rënien e bluve, duke nisur nga drejtuesit. Korçari mendon se Dinamo nuk mundi të krijojë grup ose një ekip perspektive.

DËSHTIMI – “Çfarë të thuash për këtë Dinamo! Është vërtet për të ardhur keq, sepse është një skuadër me financa, pa probleme të kësaj natyre. Më vjen shumë keq për presidentin e Dinamos, sepse e kishte marrë me qejf, por pësoi këtë zhgënjim. Kemi dëgjuar se është serioz dhe futbolli sot ka nevojë për njerëz të tillë. Edhe në kohën e Dinamos sime, kështu e nisëm, me vështirësi, por jo të shkonim deri te rënia nga kategoria. Vitin e parë dolëm diku nga mesi, pastaj më lart në renditje dhe në sezonin e tretë u shpallëm kampionë.

Për mendimin tim, Dinamo nuk krijoi grupin, që do ta çonte te rezultatet. Pra, nuk krijoi një ekip perspektive. E kam fjalën që të merrte 6-7 lojtarë, që të ishin baza dhe të udhëhiqnin skuadrën në kampionat, duke orientuar edhe të rinjtë, që gradualisht do të rriteshin për të ardhmen. Dinamo nuk e ka frymën e grupit, kjo duket në fushë, ku skuadra është shumë e shpërndarë. Dhe frymën e grupit e krijojnë të gjithë, duke nisur nga drejtuesit, stafi teknik dhe lojtarët. Një klub e bëjnë të suksesshëm të gjitha hallkat, nga presidenti, drejtori sportiv, drejtori teknik, trajneri dhe lojtarët.

Nuk ka vetëm një fajtor për rënien e Dinamos, janë të gjithë fajtorë. Flas duke gjykuar nga jashtë. Kam dëgjuar të thuhet se gaboi trajneri që e ndërtoi Dinamon, pasi kishte liri. Edhe ky gabim është. Nuk e bën dot skuadrën vetëm një njeri, që edhe mund të gabojë. Në një moment të caktuar, kur gjërat nuk shkojnë, merren masat për ta ndryshuar situatën. Patjetër që edhe lojtarët kanë faj, por mendimi im është se gjithçka nis nga drejtuesit, e pastaj vazhdon në të gjitha hallkat”, ka thënë fillimisht ish-sulmuesi Tiko.

Tiko

DERBI – Për derbin me Partizanin, ish-sulmuesi korçar sheh favorit ekipin e kuq. “Partizani është më mirë, pa dyshim, është një ekip më kompakt. Ka marrë disa barazime në ndeshjet e fundit, ku mund të fitonte, por edhe humbte. Me sa kemi dëgjuar, lexuar dhe kemi parë në fushë, duket sikur kohët e fundit Partizani ka sheshuar ato problemet e brendshme që kishte në pjesën e parë të sezonit dhe që reflektoheshin edhe në fushë.

Në derbin e kësaj jave është favorit, pa dyshim. Unë kam luajtur me të dyja këto skuadra dhe më shumë jam dinamovit, por le t’i themi gjërat siç janë. Për më tepër, Partizani ka më shumë motive për fitore, sepse ka shpresa për të kapur Europën”, ka shtuar Tiko, që aktualisht stërvit një ekip moshash në Korçë.

SKËNDERBEU – Nuk mund të mungonte një koment nga ana e ish-sulmuesit edhe për Skënderbeun, që gjithashtu po bie nga elita e futbollit shqiptar pas një dekade suksesi. “Skënderbeu ka hallet e veta, që i dinë të gjithë tashmë, prandaj dhe situata ka ardhur në këtë pikë. Nëse nuk do të ishin ato halle, në mos kampion, Skënderbeu do të ishte gjithmonë në 2-3 vendet e para.

Nuk ka diskutim. Sezonin e kaluar mbijetoi me meritë, duke luftuar me ato mundësi që kishte, kurse këtë kampionat nuk ia doli. Tani pak rëndësi kanë fjalët, rëndësi ka që të bëhet një ekip i mirë për Kategorinë e Parë, që të jetë në gjendje të rikthehet. E them këtë, sepse sezonin e ri, me Dinamon dhe Flamurtarin e ndonjë ekip tjetër, Kategoria e Parë do të jetë e vështirë’, përfundon ish-lojtari i Skënderbeut, Partizanit, Dinamos dhe Teutës.

FATJON RUPI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"