Të gjithë gati për derbin, Tirana kërkon fitoren në Kupë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2018 | 14:03

Të gjithë gati për derbin, Tirana kërkon fitoren në Kupë

Tirana ka lënë pas barazimin në Korçë, pasi në harkun e katër ditëve do të zbresë dy herë në fushë. Sot, bardheblutë do të luajnë në fushën e tyre stërvitore, për një ndeshje që ka vlerë turin e parë të Kupës së Shqipërisë. Për të besuarit e Ze Marias, fitorja 1-4 në transfertë me Ilirinë heq tensionin e një 90-minutëshi që mund të shërbejë si test përgatitor përpara ditës së premte.

tirana

Dje skuadra ka kryer një seancë stërvitore, në kuadër të dy ndeshjeve që do të luhen këtë javë. I rëndësishëm për bardheblutë ka qenë lajmi nga infermieria se Berisha është i gatshëm për të kryer stërvitje të plotë. Ai doli nga fusha prej një lëndimi në përballjen me Skënderbeun, por nga stërvitja e paradites së djeshme, mbrojtësi ka dhënë sinjale se çdo gjë ka kaluar. Sigurisht që ditët në vijim, deri të enjten, do të mësohet edhe më konkretisht se cila do të jetë forma dhe gjendja e tij, në rast se do të jetë i gatshëm që të vihet në dispozicion për derbin.

Sot bardheblutë, në orën 15:30, në kompleksin stërvitor “Skënder Halili” do të presin Ilirinë në ndeshjen e kthimit për Kupën, ku hyrja do të jetë e lirë për tifozët. Më tej, të besuarit e Ze Marias do të fokusohen te sfida e radhës, e cila në të shkuarën për Tiranën ka qenë e barabartë edhe me të gjithë sezonin, por prej 13 ndeshjesh nuk njeh triumf ndaj të kuqve, ndaj këtë herë mund të përllogaritet vetëm si ndeshje radhe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"