Të gjithë duan vend në formacionin titullar, Teuta “harron” nisjen negative të kampionatit dhe përqëndrohet te Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2020 | 21:57

Të gjithë duan vend në formacionin titullar, Teuta “harron” nisjen negative të kampionatit dhe përqëndrohet te Vllaznia

Kupa e Shqipërisë mbetet një objektiv real për Teutën, e cila që në mesjavë kërkon të hedhë hapin e parë të kualifikimit në transfertën e Shkodrës. Duke parë forcën dhe potencialin e Vllaznisë, por edhe axhendën e ndeshjes së parë të turit çerekfinal të Kupës, për bregdetarët ndoshta i pëlqyeshëm do të ishte edhe një barazim. Edi Martini në stolin e Teutës pa dyshim që synon të bëjë diçka të madhe, të paktën Europa, por fitimi i trofeut të Kupës është qëllimi madhor. Për këtë takim trajneri pritet të ketë të gatshëm një lojtar kyç në mesfushë si Aleksi, që e ngroh disi ambientin në Durrës. Teuta e ka nisur javën stërvitore për transfertën me Vllazninë. Me një seancë të zhvilluar paraditen e djeshme ka startuar zyrtarisht edhe java anti-Vllazni. Vështirësia është e madhe, e sidomos kur dihet që përballë kanë një kundërshtar që vjen pas një humbjeje të thellë në Laç. Megjithatë, të besuarit e trajnerit Martini besojnë se do t’ia dalin.
teuta
PËRGATIJET – Për Teutën nuk ka pushim, që dje ka nisur punën për duelin e parë të Kupës me Vllazninë, që do ta luajë ditën e enjte në “Loro Borici”. Durrsakët nuk e njohin shijen e fitores në dy ndeshjet e fundit, por synojnë që të sigurojnë kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës që në sfidën e parë me shkodranët. Gjatë javës së shkuar trajneri Edi Martini ka pasur mungesa lojtarësh. Albano Aleksi nuk luajti në Ballsh pasi ishte i pezulluar nga kartonët, por është në dispozicion si për ndeshjen e Kupës dhe të kampionatit në fundjavë. Arbër Çyrbja po kalon një dëmtim dhe për grumbullimin e aktivizimin e tij në Kupë stafi do të vendosë një ditë para ndeshjes. Skuadra ka punuar më së shumti në kushte loje, teksa trajneri Martini e ka ndarë grupin në dy pjesë. Si zakonisht ra në sy loja e fortë e skuadrës, ku të gjithë futbollistët prej kohësh po kërkojnë një vend titullari në skuadër dhe po mundohen t’ia mbushin mendjen trajnerit që ata janë të duhurit për 11-shen e parë. Tashmë synohet fitorja dhe aq më tepër që përballë kanë një ekip si Vllaznia, por durrsakët do të hyjnë në fushë për të marrë fitoren. E vështirë, por jo e pamundur. Gjithsesi, në Durrës janë duke e vlerësuar maksimalisht kundërshtarin e radhës.
TEUTA LACI
OSHILACIONET – Teuta ndodhet në provën e vazhdimësisë dhe natyrisht në atë për të bërë të madhen edhe përballë Vllaznisë. Pretendimet në Durrës janë të mëdha dhe për t’u arritur në kampionat vlen vazhdimësia, pikët mbeten njësoj ndaj çdo kundërshtari. Skuadra vjen në një moment jo të mirë, ndërkohë që ndaj Bylisit skuadra shfaqi sërish oshilacione dhe u mundën në fund. Vllaznia është një skuadër fatsjellëse për Teutën, pasi ndaj saj ka ditur të fitojë përherë. Gjithmonë ka qenë një duel emocionues falë dhe objektivave në valle. Vllaznia-Teuta e vlefshme për çerekfinalen e parë të Kupës nuk bën përjashtim, pasi në harkun e 90 minutave mund të vendoset shumë.

SULMI – Ndeshjet e Kupës kanë specifikën e tyre, ku rëndësi merr shumë shënimi i golit në fushën kundërshtare. Përveç tre golave ndaj Luftëtarit dhe Flamurtarit, në të gjitha ndeshjet e tjera nuk e kanë kaluar shifrën e një goli të realizuar. Ndërkohë, sulmi që është përforcuar në janar me shpresën për të bërë sa më mirë, të vetmen rrjetë që ka tundur deri më tani është nga ishsulmuesi i larguar Gomes, që shënoi në kampionat ndaj Luftëtarit. Rendimenti i sulmuesve mbetet, në fakt, një problem konstant për trajnerin Martini, pasi skuadra shënon pak. Përveç Hebajt, sulmuesit kryesor të ekipit, stafi pret më tepër edhe nga të tjerët që kanë shënuar me pikatore.

SKEMAT – Trajneri Martini dje ka zgjedhur edhe një herë të punojë taktikisht me ekipin duke e vendosur në fushë në kushte loje, duke i ushtruar më shumë presion, qarkullim topi në distanca të ngushta dhe situata të kundërsulmit, qoftë aktive edhe pasive. Në mbyllje të seancës stërvitore, ekipi ka provuar edhe një herë formacionin që do të zbresë nga minuta e parë në fushë. Gjithsesi, pritet që për 11-shen bazë të vendoset vetëm pak orë para sfidës.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"