“Të fortët u futën në lojë”, Telushi “kërcënon” rivalët pas fitores në Shkodër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2019 | 8:21

“Të fortët u futën në lojë”, Telushi “kërcënon” rivalët pas fitores në Shkodër

Partizani ka bërë shumë ndryshime nga skuadra e cila fitoi titullin në sezonin e fundit. Gjithçka e ka pikënisjen në stolin drejtues, ku pas largimit të trajnerit kampion, Skënder Gega, drejtimin e ka marrë italiani Franko Lerda. “Demat” kanë pasur luhatje të dukshme në start të edicionit të ri, por pas triumfit në derbi, Partizani po tregon se sa kapacitet ka dhe çfarë mund të bëjë në vijimësi.

partizani

Në përgjithësi, të kuqtë në sezonet e fundit i kanë treguar “dhëmbët” me të mëdhatë, por është penalizuar nga gabimet me të voglat, dukuri e cila u riparua në sezonin e fundit. Që Partizani është i fortë me të mëdhatë, e tregon edhe postimi i Bruno Telushit në profilin e tij në “Instagram” pas fitores me Vllazninë.

Mesfushori vlonjat ka postuar një aforizëm të Xhejms Belushit, duke lënë të kuptohet se me “nxehjen” e kampionatit, Partizani nis të tregojë veten. “Kur loja bëhet e fortë, të fortët hyjnë në lojë”.

Bruno Telushi

Ky është aforizmi i postuar nga Telushi pas triumfit që Partizani arriti të shtunën në transfertën e Shkodrës. Sipas vlonjatit, i bie që Partizani i ka ndezur motorët dhe tani pritet që “makineria e kuqe” të vijojë rrugëtimin drejt ruajtjes së titullit kampion, që shikohet si një mision më i vështirë sesa ta fitosh.

Boldor – Gëzimin e fitores në Shkodër nuk e kanë fshehur edhe lojtarët e tjerë, të cilët kanë shprehur ndjenjat e tyre me postimet që kanë bërë në rrjetet sociale. Për mbrojtësin Deian Boldor, Partizani mori një fitore të madhe në Shkodër. “Fitore e madhe dhe një tjetër trepikësh për synimet tona madhore”.

boldor

Ky ishte postimi i Boldorit në profilin e tij pas fitores me Vllazninë. Mbrojtësi rumun e nisi aventurën te “demat” me sistemin e lojës me tre mbrojtës, ku u përshtat mirë me Bitrin dhe Belicën. Ndërsa me modulin me katër mbrojtës, Boldor formon dyshen e qendrës me Belicën. Gjithsesi, loja e rumunit ka qenë më e dukshme kur luhej me tre mbrojtës, pasi aksioni niste nga këmbët e tij.

Zhbllokimi i sulmit – Fitorja me Vllazninë pati vlera të shumëfishta për Partizanin. Përveç marrjes së pikëve të plota, ngjitjes në renditje, si dhe rritjes së moralit, në Shkodër u zhbllokuan edhe dy nga lojtarët e spikatur të Partizanit të titullit kampion, Erald Çinari dhe Jasir Asani.

partizani 1

Dy golat e shënuar nga këta futbollistë në minutat shtesë ishin të parët me fanellën e kuqe në sezonin 2019-2020. Shpresohet që pas zhbllokimit, Çinari dhe Asani të ruajnë shënjestrën dhe të tregojnë të njëjtat cilësi si në sezonin e titullit, ku me golat e tyre kontribuuan për suksesin.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"