Të fortë, cinikë dhe ekspertë, Astrit Hafizi “skanon” favoritët e Superiores (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2018 | 21:46

Të fortë, cinikë dhe ekspertë, Astrit Hafizi “skanon” favoritët e Superiores (E PLOTË)

Të bësh analizën e pre tendentëve për titull është e vështirë. Edhe për gazetën. Po, po, sepse duhet patjetër të gjesh dikë të paanshëm dhe të baraslarguar nga palët. Dhe meqë diskutimi së fundmi bëhet gjithnjë e më shpesh për Partizanin, Skënderbeun dhe Kukësin, atëherë mirë do të ishte që skanerin këtyre ekipeve t’ua bëjë dikush që nuk ka një histori të lidhur me këto klube. Po kush më mirë se Astrit Hafizi do ta bënte një analizë për trion e klubeve që sot cilësohen favoritet e këtij sezoni?

astrit hafizi

Trajneri shkodran gjykon që skuadrat kanë pothuajse potencial të barabartë në organikë, por nuk harron të vendosë në dukje edhe diferencat e tyre. “Për mua janë pothuajse të barabarta. Këto tre klube janë të ndryshëm në stil, në traditë dhe në koncept, por si potencial, nuk shoh ndonjë diferencë të madhe. Madje edhe sa i përket faktit që janë ende të pakonsoliduara dhe shfaqin pasiguri në fushë, mua sërish më duken të përafërta”, thotë Hafizi për “Panorama Sport”.

PARTIZANI I FORTË

“Ka avantazhin që ka marrë rezultatet e duhura në javët e fundit. Kjo është shumë domethënëse për çdo skuadër që ende nuk është konsoliduar. E them këtë, sepse Partizani ka bërë ndryshime të rëndësishme. Tregoi forcë karakteri kur pas një humbjeje në Korçë, ka mbetur i pamposhtur dhe ka fituar ndeshje delikate si ajo me Tiranën apo me Kukësin.

Natyrisht, e kam parë që në momente të caktuara gjatë ndeshjeve ka vështirësi, por kjo është normale, sepse e përsëris, do t’u duhet akoma kohë që të harmonizohen si duhet.

Ka gjithashtu një stol të mirë, por do t’i duhet që me kalimin e javëve, të menaxhojë si duhet presionin që do t’i shtohet. Në një klub si Partizani presioni është i natyrshëm, por ndryshe nga Skënderbeu dhe Kukësi, kjo skuadër nuk e fiton titullin prej 25 vitesh. Ekipi duhet ta lërë mënjanë këtë pjesë, që shpesh edhe media e ngacmon”, deklaroi ish-trajneri i Kombëtares.

SKËNDERBEU EKSPERT

“Skënderbeu ka traditën e viteve të fundit me vete. Arriti të mbante një pjesë të mirë të lojtarëve që kanë fituar tituj dhe që dinë të kalojnë situatat e vështira. Zakonisht ekipeve të tjera që nuk e kanë këtë eksperiencë, periudha negative u zgjat më shumë sesa Skënderbeut dhe kjo i penalizon, sepse i lë mbrapa gjatë garës. Ky është një bonus i madh. Ka një filozofi loje të trashëguar nga e kaluara dhe duhet të themi se mbetet një skuadër me cilësi.

Skënderbeu sot është një ekip që funksionon si duhet në të tre repartet. Nuk i duhet të sforcohet që të bëjë lojën e duhur, sepse kjo i vjen natyrshëm. Mendoj që sikleti i madh i Skënderbeut këtë vit do të jetë pritja e vazhdueshme se kur do të merret vendimi nga KAS dhe çfarë do të jetë ai. Kjo nuk e ndihmon, por gjithsesi ata i kanë dhënë sinjalet se mbeten një ekip i pjekur. Natyrisht, problematika të tjera të karakterit financiar, që mundet t’i kenë edhe klube të tjera, hera-herës trazojnë ambientin, por preferoj të analizoj sjelljen e tyre në fushë”, shprehet shkodrani.

KUKËSI CINIK

“Është i fortë me të dobëtit dhe i dobët me të fortit”, thekson Hafizi. “Rezultatet e këtij sezoni e kanë përligjur këtë konstatim. Por, kjo duhet parë edhe në aspektin pozitiv. Kukësi, në raport me dy të tjerat është shumë më cinik me të vegjlit, aty ku Partizani shpesh herë ka lënë pikë pa e menduar. Kukësi ka gjithashtu një organikë të mirë, por ka qenë i pafat për shkak të dëmtimeve të lojtarëve të rëndësishëm. Musolli dhe Rrumbullaku ndikojnë.

E megjithatë, unë kam bindjen se kjo skuadër ka potencial, po aq sa edhe Partizani me Skënderbeun. Kanë lojtarë të mirë dhe të fortë. Kanë një përgatitje më të mirë se të tjerët, sepse kanë luajtur në Kupat e Europës. Efekti i kësaj ndoshta do të shihet pak më vonë, por jam i bindur se nëse Kukësi do të gjejë ekuilibrat, mund të nisë një cikël rezultatesh mbresëlënëse. Në disa ndeshje që luajtën në Europë, mua më pëlqyen shumë. Është mangësi e madhe mungesa e tifozëve, por besoj se nëse do të jetë në garë deri në fund, situata do të ndryshojë”, përfundon Hafizi.

JETMIR HALILAJ

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"