Te Flamurtari caktohen objektivat, Jakovljeviç: Europa tani është detyrim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 26, 2017 | 9:53

Te Flamurtari caktohen objektivat, Jakovljeviç: Europa tani është detyrim

Ivan Jakovljeviç është në një linjë me shokët e ekipit. Edhe serbi mendon se Flamurtari këtë sezon do shkojë në Kupat e Europës. Por, për Jakovljeviç, Flamurtari ka mundësi për të arritur edhe më shumë. Mbrojtësi për “Panorama Sport” thekson se do të japë maksimumin e tij për realizimin e objektivave dhe se shfaqet i lumtur që Duro ka dhënë “veton” që ai të mbetet pjesë e kuqezinjve.

jakovljevic

“Së pari, unë dua të falënderoj trajnerin Shpëtim Duro dhe drejtuesit e klubit, të cilët besuan tek unë dhe që menduan se duhet të jem pjesë e ekipit edhe për sezonin e ri. Jam shumë i kënaqur për këtë fakt”, thotë fillimisht Jakovljeviç.

Më tej, ai ndalet tek objektivat, ndërsa thekson: “Këtë sezon Flamurtari duhet të shkojë në vendin që e meriton. Ne duhet që të shkojmë në Kupat e Europës. Për këtë objektiv do të përpiqemi të gjithë për të bërë më të mirën tonë. Por ne kemi mundësi për të arritur edhe më shumë sesa kaq, por gjithsesi ndeshjet duhet që t’i marrim me radhë. Unë do të bëj maksimumin tim, me qëllim që të justifikoj besimin që drejtuesit më dhanë”.

Flamurtari

Mbrojtësi vlerëson edhe merkaton. “Kam bindjen se Flamurtari këtë sezon ka bërë një merkato cilësore. Lojtarët, të cilët janë afruar, janë cilësorë dhe me eksperiencë dhe që do t’i bëjnë mirë ekipit. Kemi një frymë shumë të mirë në grup, edhe pse një pjesë e mirë e lojtarëve kanë ardhur këtë sezon. Faza përgatitore po na lidh edhe më shumë me njëri-tjetrin. Kushtet këtu janë shumë të mira dhe ne po marrim ngarkesat maksimale. Po ashtu dua të them se klubi këtë sezon ka bërë zgjedhje të mira dhe të kujdesshme në afrimin e lojtarëve”, u shpreh serbi.

Ai flet edhe për konkurrencën, megjithatë ky fakt nuk e “tremb” aspak. “Te Flamurtari këtë sezon ka shumë konkurrencë. Kemi lojtarë të mirë në të gjitha repartet. Konkurrenca vihet re edhe në mbrojtje, ashtu sikundër edhe në mesfushë dhe sulm. Në këto kushte, ai që e meriton do të jetë në formacion. Kjo gjë është shumë pozitive dhe i bën vetëm mirë skuadrës”, përfundon Jakovljeviç.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"