“Të fitojmë në Vlorë”, Gvozdenoviç karikon ekipin në analizë: Me Flamurtarin është derbi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2023 | 13:41

“Të fitojmë në Vlorë”, Gvozdenoviç karikon ekipin në analizë: Me Flamurtarin është derbi

Skënderbeu vazhdon të komandojë Kategorinë e Parë, por këtë javë ka shansin që të “djegë” një rival direkt. Të premten udhëtojnë në Vlorë, atje ku i pret Flamurtari i vendit të tretë.

gvozdenovic

Momentalisht e kanë 3 pikë larg, por me një fitore do ta çonin në -6. Prej ditës së hënë në Korçë kanë filluar përgatitjet për këtë superndeshje. Nuk do të jetë vetëm një përballje e gjitha për elitën, por më shumë se kaq.

Dihet fare mirë historiku që këto dy ekipe kanë me njëra-tjetrën. Gati 12 vite më parë diskutonin titullin kampion në elitë përpara, ndërsa sot luajnë për ngjitjen. Gjithnjë kanë prodhuar spektakël dhe e tillë pritet të jetë edhe këtë herë.

Duke ditur këtë gjë, Ivan Gvozdenoviç është munduar që t’u injektojë rëndësinë e këtij 90-minutëshi lojtarëve. Në analizën që zhvilloi dje, trajneri u ndal gjerësisht te ky derbi.

“Flamurtari-Skënderbeu është një derbi dhe si i tillë meriton përqendrim dhe respekt maksimal nga të gjithë ne. Nga unë i pari e deri te punëtori i fushës. Duhet të jemi në harmoni dhe të qetë psikologjikisht, nëse duam t’ia dalim mbanë dhe të kthehemi me një rezultat pozitiv nga Vlora. Ndeshje të tilla kanë prodhuar gjithmonë spektakël. Ka qenë një derbi kur unë isha futbollist dhe mbetet një derbi dhe tani që jam trajner. Prandaj dua nga ju të punojmë fort dhe me përgjegjësi maksimale me qëllim që të dalim në lojën tonë dhe të bëjmë maksimumin. Më pas do të vendosë fusha se sa do të marrim nga kjo ndeshje”, theksoi veç të tjerash trajneri i Skënderbeut, para nisjes së përgatitjeve anti-Flamurtari.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"